Ishte padyshim një sezon spektakolar, duke filluar “Aspirinat” e Bayer Leverkusen që përjetuan një “histori hirusheje”, me 51 sfida pa humbje, ku siguruan edhe titullin e parë kampion të Bundesliga e deri te rrugëtimi i gjatë i Borussia Dortmund, në finalen e UEFA Champions League, aty ku Real Madrid nuk “fali” kundërshtarët, duke fituar titullin e 15-të në histori.
Tani është kohë për të përjetuar emocione edhe më të forta, ku prej datës 14 qershor e deri më 14 korrik do të ndjekim “magjinë” e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku këtë herë pjesëmarrës, për herë të dytë në histori, janë edhe “Legjionarët” e Kombëtares sonë falë punës fantastike dhe harmonisë që krijoi tekniku Sylvinho.
Mirëpo, këtë herë do të flasim për një aspekt tjetër të këtij kompeticioni, teksa do të “prezantohemi” më shumë me trofeun e madh, vlerën monetare, përmasat, kush e krijoi këtë trofe dhe si ndryshoi gjatë historinë.
Sipas deklaratave të kompanive të ndryshme që kanë kontribuuar në krijimin e këtij trofeu në ditët e sotme kupa do të kishte një vlerë rreth 30 mijë euro, megjithatë nuk është versioni i parë dhe i vetëm i kupës së lakmuar, prej argjendi me shkëlqim, e cila është 60 centimetër e lartë dhe peshon plot 8 kilogramë, një version më i madh se ai paraardhësi, që peshonte 2 kilogramë më pak dhe ishte vetëm 42 centimetra i lartë.
Trofeu i ri u porosit nga UEFA për edicioni e vitit 2008, edicioni i fituar nga Spanja e Jose Luis Aragones, falë golit të Fernando Torres, në finalen e madhe ndaj Gjermanisë, teksa lojtari i parë që e ngriti atë drejt qiellit ishte “gardiani” legjendar i “La Furia Roja” dhe “Galaktikëve” të Real Madrid, Iker Casillas.
Krijuesi i trofeut ishte Pierre Delaunay, i cili pasoi babanë e tij, Henri, si sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, nga i cili mori emrin, teksa kushdo që fiton Kampionatin Evropian, përveç medaljeve të zakonshme të arta, merr në shtëpi edhe trofeun “Henri Delaunay”, por jo atë origjinalin, po një kopje në shkallë 1:1, me origjinale, e cila mbetet në posedim të UEFA-s dhe përdoret vetëm për ceremoninë e ndarjes së çmimeve. /i.m /abcnews.al