Ekspertët: Inteligjenca artificiale mund të shtojë dezinformimin dhe të dëmtojë zgjedhjet në BE

schedule08:37 - 6 Qershor, 2024

schedule 08:37 - 6 Qershor, 2024

Votuesit në Bashkimin Evropian do të votojnë nga e enjtja deri të dielën për të zgjedhur ligjvënësit e Parlamentit Europian, një ushtrim i madh demokracie që ka të ngjarë të goditet nga dezinformimi në internet.

Ekspertët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale mund të shtojë intensitetin e përhapjes së lajmeve të rreme që mund të dëmtojnë zgjedhjet në Bashkimin Europian dhe shumë vende të tjera këtë vit. Por rreziku është veçanërisht i lartë në Evropë, e cila është përballur me përpjekjet ruse për përhapjen e propagandës ndërsa Moska vazhdon luftën ndaj Ukrainës.

Ja se çfarë po ndodh:

Rreth 360 milionë votues në 27 vende, nga Portugalia në Finlandë, nga Irlanda në Qipro, do të përcaktojnë 720 ligjvënës të Parlamentit Evropian në zgjedhjet që zhvillohen nga e enjtja deri të dielën. Në muajt përpara votimit, ekspertët kanë vënë re se ka një rritje të lajmeve të rreme dhe dezinformatave anti-BE të cilat po shpërndahen ndër vendet anëtare.

Frika e madhe është se mashtrimi i votuesve do të jetë më i lehtë se asnjëherë më parë, kjo për shkak të përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale, që e bëjnë të lehtë krijimin e përmbajtjes së rreme ose përhapjen e keqinformimit. Një pjesë e aktivitetit keqdashës është nga brenda vendeve, një pjesë nga jashtë. Më gjerësisht përgjegjëse është bërë Rusia dhe nganjëherë Kina, edhe pse provat e forta që i lidhin drejtpërdrejt sulme të tilla janë të vështira të gjenden.

“Fushatat e sponsorizuara nga shteti rus për të përhapur në hapësirën informative europiane përmbajtje të rreme përbëjnë një kërcënim për mënyrën se si jemi mësuar të zhvillojmë debatet tona demokratike, veçanërisht në kohë zgjedhjesh”, paralajmëroi të hënën Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

Ai tha se përpjekjet e Rusisë për “manipulimin e informacionit” po bëhen më të lehta për shkak të medias sociale si edhe të përdorimit të programeve jo të kushtueshme të inteligjencës artificiale për krijimin e përmbajtjeve.

“Programet kompjuterike po përdoren për të nxitur fushata shpifëse kundër udhëheqësve politikë evropianë që janë kritikë ndaj presidentit rus Vladimir Putin”, tha ai.

A KA PATUR NDONJË RAST DEZINFORMIMI DERI TANI?

Ka pasur shumë raste dezinformimi të lidhura me zgjedhjet. Dy ditë përpara zgjedhjeve kombëtare në Spanjë korrikun e kaluar, u regjistrua një faqe interneti e rreme që paraqitej sikur të ishte nën administrimin e autoriteteve të Madridit. Në këtë faqe u postua një artikull ku paralajmërohej në mënyrë të rreme për një sulm të mundshëm në qendrat e votimit nga ETA, grupi i shpërbërë separatist bask.

Në disa llogari në median sociale të lidhura me ato që Spanja i cilëson ndërhyrje ruse në “hapësirën kibernetike” u pretendua se ishte shënuar një shpërthim.

Vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të nëntorit në Sllovaki, u publikuan regjistrime të rreme zanore, të krijuara përmes inteligjencës artificiale, ku imitohej një kandidat i cili përmendte planet për manipulim të zgjedhjeve.

Është “me të vërtetë shqetësuese dhe disi më ndryshe se përpjekjet e tjera për përhapjen e dezinformimit nga burime alternative,” thotë Alexandre Alaphilippe, drejtor ekzekutiv i EU DisinfoLab, një grup jofitimprurës që kryen hulumtime mbi dezinformimin. “Ngre veçanërisht pikëpyetje mbi sigurinë kibernetike për prodhimin të lajmeve, e cila duhet të konsiderohet si infrastrukturë kritike”, thekson ai.

ÇFARË SYNOHET PËRMES DEZINFORMIMIT?

Ekspertët dhe autoritetet thanë se dezinformimi rus synon të dëmtojë demokracinë, duke i shkurajuar votuesit në të gjithë Bashkimin Europian t’u drejtohen qendrave të votimit. “Demokracia jonë nuk mund të merret si e mirëqenë dhe Kremlini do të vazhdojë të përdorë dezinformimin, ndërhyrjet keqdashëse, korrupsionin dhe çdo taktikë tjetër të pistë për të përçarë Evropën”, paralajmëroi parlamentin në prill Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian Vera Jourova.

Qëllimi më i gjerë i këtyre “fushatave të dezinformimit shpesh nuk është prishja e zgjedhjeve”, thotë Sophie Murphy Byrne, nga kompania Logically që vepron në fushën e inteligjencës artficiale.

“Synimi është të nxisë teoritë konsipirative dhe të gërryejë besimin e shoqërisë”, u shpreh ajo në një konferencë online, javën e kaluar.

Këto përmbajtje të rreme po ashtu synojnë të nxisin pakënaqësinë e publikut ndaj elitës politike të Evropës, të përçajnë komunitetet për çështje si vlerat familjare, gjinia apo seksualiteti, të nxisin dyshime rreth ndryshimeve klimatike dhe të dobësojnë gradualisht mbështetjen perëndimore për Ukrainën, thonë ekspertët dhe analistët e Bashkimit Europian.

ÇFARË KA NDRYSHUAR?

Pesë vjet më parë, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit të Bashkimit Evropian, shumica e dezinformatave në internet u shpërndanë nga të ashtuquajtura “ferma trollësh”, të cilat punësonin njerëz me turne, duke bërë komente manipuluese, nganjëherë me një anglishte të dobët, ose duke ripërdorur video regjistrime të vjetra . Falsifikimet ishin më të lehta për t’u dalluar.

Tani, ekspertët kanë ngritur alarmin për rritjen e prodhimit të përmbajtjes përmes inteligjencës artificiale, që sipas tyre, rrezikon të rrisë intensitetin e përhapjes së dezinformatave të lidhura me zgjedhjet, në mbarë botën. Aktorët keqdashës mund të përdorin platformat e thjeshta, si plaforma ChatGPT e kompanisë OpenAI, për të krijuar imazhe, video dhe audio të rreme që duken si autentike.

Çdokush që ka një smartphone dhe një mendje keqdashëse mund të krijojë potencialisht përmbajtje false, por bindëse, me qëllim mashtrimin e votuesve.

Sistemet gjeneruese të inteligjencës artificiale mund të përdoren për të prodhuar me shpejtësi imazhe dhe video që duken si të vërteta dhe për t’i përhapur ato te përdoruesit e mediave sociale, thotë Salvatore Romano, nga Forensics, një grup kërkimor jofitimprurës që vepron në fushën e inteligjencës artificiale.

Së fundmi, grupi Forensics zbuloi një rrjet faqesh interneti pro-ruse që sipas tij, përfituan nga paaftësia e kompanisë META për të kufizuar reklamat politike në Bashkimin Europian.

Përmbajtja e rremë tani është “e padallueshme” nga e vërteta dhe ekspertëve të dezinformimit u duhen shumë më shumë kohë për të zbuluar se janë të pavërteta, tha zoti Romano.

CILAT JANË MASAT QË PO MARRIN AUTORITETET?

Bashkimi Europian po përdor një ligj të ri për Shërbimet Digjitale, për të luftuar dezinformimin. Ligji gjithëpërfshirës u kërkon platformave të frenojnë rrezikun e përhapjes së dezinformatave dhe mund të përdoret për t’i mbajtur ato përgjegjëse, nën kërcënimin e gjobave të larta.

Blloku europian po përdor ligjin për të kërkuar informacion nga kompania Microsoft në lidhje me rreziqet që paraqet motori i saj i kërkimit Bing, përfshirë shqetësimet mbi përmbajtje të manipuluar që mund të çojë në keqinformim të votuesve.

Ligji i Shërbimeve Digjitale është përdorur edhe për të hetuar platformat Facebook dhe Instagram në pronësi të META-s lidhur me dyshimet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për të mbrojtur përdoruesit nga fushatat e dezinformimit.

BE-ja ka miratuar një ligj të gjerë mbi inteligjencën artificiale, por ai do të hyjë në fuqi gjatë dy viteve të ardhshme.

SI PËRGJIGJEN KOMPANITË E MEDIAVE SOCIALE?

Shumica e kompanive të teknologjisë janë përpjekur të reklamojnë masat që po marrin për të mbrojtur “integritetin e zgjedhjeve” në Bashkimit Evropian.

Kompania Meta, që ka në pronësi rrjetet Facebook, Instagram dhe WhatsApp është shprehur se do të krijojë një njësi veprimi për zgjedhjet, me qëllim identifikimin e kërcënimeve të mundshme në internet. Kompania gjithashtu ka mijëra mbikqyrës të përmbajtjes që punojnë në 24 gjuhët zyrtare të Bashkimit Eropian dhe po forcon politikat për përmbajtjen e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, duke përfshirë etiketimin e përmbajtjes së krijuar nga Inteligjenca Artificiale që shkel standardet e kompanisë.

Nick Cleg, nënpresident i kompanisë Meta për çështjet globale është shprehur se nuk ka asnjë shenjë se mjetet gjeneruese të inteligjencës artificiale po përdoren në mënyrë sistematike për të dëmtuar zgjedhjet.

TikTok tha se do të krijojë qendra për kontrollin e fakteve.
Google që ka në pronësi YouTube tha se po punon me grupe të kontrollit të fakteve dhe do të përdorë inteligjencën për të “luftuar abuzimin”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!