Rama: Shqipëria s’është më ajo që ishte, kjo shihet kudo, flitet ngado, mirëpo disa që janë mësuar ta na shohin e ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botes së tretë, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart. Prandaj dhe pesë kulla në Tiranë ju duken si 500 ngaqë as e kanë imagjinuar që Tirana do të bëhej kjo që vetëm sapo ka filluar të duket , se skanë parë gjë akoma. Dhe e vetmja mënyrë që gjejnë, me ndihmën e gojëve mos e themi të politikanëve pa atdhe e të papagajve të tyre pa skrupuj, është të hedhin baltë për të na pikturuar pacipërisht si mafiozë, trafikantë, kriminelë…
Po për mua cenimi me gjysmë të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë. Kush e bën, duhet ta mësojë se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin te fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur.
U habiten gazetarët e Reportit dhe e thanë që unë jo nuk i ika asnjë pyetjeje, po e kërkova vetë, publikisht ballafaqimin me ta. Thanë që këtë politikanët e tyre nuk e bëjnë dhe e quajtën madje kurajë të madhe, po ne fakt e imja s’është kurajë, është krenari për Shqipërinë dhe për emrin shqiptar.
Shqiptarët e Italisë, Greqisë e kudo tjetër, nuk kanë për të qenë kurrë vetëm sa të jem unë këtu, përballë asnjë cenimi të emrit shqiptar. Kane vuajtur boll për ta ngritur kokën dhe as ata, as Shqipëria nuk e ulin më kokën.
Ne e dimë më mirë se kushdo plagët, problemet, të metat e dobësitë që kemi dhe që i luftojmë përditë me to. Po kush hedh baltë mbi Shqipërinë e mbi shtetin shqiptar, duke na treguar edhe me gisht siç bënin dikur që s’u linin kusur shqiptarëve, duhet e do ta marrë kurdoherë përgjigjen tonë. Me punë patjetër po dhe me fjalë, sa herë që ëhstë nevoja. Me vepra dhe me krenari sa herë që ne flasim për Shqipërinë. Ata thanë që nuk e kishin me Shqipërinë e me popullin shqiptar. Po ama dëmin ia bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e të gjithë audiencës së tyre italiane dhe nëse nuk ishin nisur me këtë mendim, këtë bënë./abcnews.al