SHQIPËRI- Sipas statistikave dhe shifrave zyrtare, Italia vazhdon të jetë partnerja kryesore në bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë.
Raportet e mira mes dy shteteve kanë hedhur shinat e bashkëpunimit në disa fusha, por pjesa që mund të cilësohet si “qershia mbi tortë” e zhvillimeve të fundit mes dy vendeve është arritja e marrëveshjes për njohjen e pensioneve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në turin e takimit me shqiptarët në Itali, tha se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë mbi 420 mijë shqiptarë në Itali.
Ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha, e ftuar në “Money Report”, tha se marrëveshja pensioneve Shqipëri-Itali pritet të hyjë në fuqi brenda dhjetorit të 2024.
Ajo theksoi se Italia fqinje ka bërë gati një fond prej 200 milionë eurosh, fond ky i cili do të përdoret për pensionet e shqiptarëve që kanë jetuar dhe kontribuuar për vite me radhë në ekonominë italiane.
“Janë 421 mijë shqiptarë dhe 4 mijë shtetas italianë që do të përfitojnë nga një marrëveshje të rëndësishme e pensioneve siç është ajo me Italinë. Kjo është një marrëveshje, e cila i takon më tepër dinjitetit njerëzor. Buxheti i shteti italian ka bërë gati një fond prej 200 milionë euro, fond i cili do të shpërndahet pasi hyrjes në fuqi i marrëveshjes. Marrëveshja, sipas planit të punës dhe sipas informacioneve zyrtare hyn në fuqi në dhjetor të 2024. Me ratifikimin, pra me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje efektet financiare dhe ligjore për të gjithë qytetarët italianë dhe shqiptarë do kenë efektet e tyre menjëherë. Janë 15 vite negociata.”, tha ajo./n.m.abcnews.al