Evropa, e cila ka qenë prej kohësh burimi më i rëndësishëm i mbështetjes për Tel Aviv, po rivlerëson marrëdhëniet e saj me Izraelin. Spanja, Irlanda dhe Norvegjia e njohën Palestinën si shtet dhe shumica e qeverive në BE mbështetën pa kushte kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për arrestimin e kryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes izraelite, shkruan New York Times.
Shteti hebre ka ende aleatë besnikë në Evropë. Megjithatë, vendet evropiane po përballen me një presion ndërkombëtar dhe të brendshëm në rritje për të marrë një qëndrim më të ashpër dhe për të dënuar veprimet e Izraelit në Palestinë, veçanërisht luftën shkatërruese në Rripin e Gazës.
Më herët, Bashkimi Evropian lëvizi drejt afrimit me Izraelin, duke përfshirë forcimin e partneritetit financiar dhe politik në tregti dhe shkencë. Por lufta në Gaza ndryshoi trajektoren e marrëdhënies së tyre.
Simpatia evropiane për Izraelin pas sulmeve të 7 tetorit po zbehet ndërsa konflikti vazhdon. Situata humanitare në enklavën palestineze po përkeqësohet dhe Izraeli për shumë njerëz “duket më pak si viktimë dhe më shumë si agresor”, sipas gazetës amerikane.
Nëse vendet e tjera të BE-së ndjekin shembullin e Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë, blloku mund të bëhet kundërpesha kryesore e qëndrimit amerikan se shtetësia palestineze kërkon një marrëveshje me Tel Avivin. Si rezultat, hendeku midis Evropës dhe Izraelit do të bëhet edhe më i thellë./abcnews.al