Afrika e Jugut: “Gjenocidi” i Izraelit në Gaza ka arritur nivele të reja tmerruese

schedule18:09 - 16 Maj, 2024

schedule 18:09 - 16 Maj, 2024

“Gjenocidi” i kryer nga Izraeli “ka arritur nivele të reja të tmerrshme”, tha këtë të enjte Afrika e Jugut përpara autoritetit më të lartë gjyqësor të OKB-së, i cili po u kërkon gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të urdhërojnë përfundimin e sulmit ndaj Rafas, duke theksuar se Populli palestinez përballet me “shfarosjen e tyre të vazhdueshme”.

Afrika e Jugut javën e kaluar bëri thirrje për masa shtesë emergjente për të mbrojtur Rafah, qyteti në Rripin jugor të Gazës, ku janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë të zhvendosur. Ajo gjithashtu kërkoi nga gjykata që të urdhërojë Izraelin të lejojë akses të papenguar tek zyrtarët e OKB-së, agjencitë e ndihmës, gazetarët dhe studiuesit, duke vënë në dukje se Izraeli deri më tani ka injoruar dhe shkelur urdhrat e mëparshëm të gjyqtarëve.

“Afrika e Jugut shpresonte, në seancën e mëparshme, se ky proces gjenocidal do t’i jepej fund në mënyrë që Palestina dhe populli i saj të mbroheshin,” tha Vusimizi Madonsela, zëdhënësi i Pretoria. “Në vend të kësaj, gjenocidi i Izraelit vazhdon i pandërprerë dhe ka arritur një nivel të ri, të tmerrshëm”, shtoi ai.

Operacioni izraelit në Rafah “është faza e fundit në shkatërrimin e Gazës dhe popullit palestinez”, komentoi Von Lowy, një avokat që përfaqëson Afrikën e Jugut. “Përfundimi sot është se qëllimi i deklaruar i Izraelit për të fshirë Gazën nga harta është gati të realizohet. Për më tepër, provat e krimeve dhe mizorive të tmerrshme po shkatërrohen dhe varrosen fjalë për fjalë me buldozerë, duke fshirë efektivisht të kaluarën për ata që kanë kryer këto krime dhe duke bërë tallje me drejtësinë”.

Izraeli, i cili e quan “të pabazë” pretendimin e Afrikës së Jugut se ajo shkel Konventën e Gjenocidit të vitit 1949, do të përgjigjet të premten. Në seancat e mëparshme ai tha se po shtonte përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare në Gaza, siç urdhëroi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë./abcnews.al