Ambasadori serb u thirr nga ministria e Jashtme për të dhënë sqarime për deklaratat e zëvendës kryeministrit Aleksandër Vulin, i cili tha se “vetëm bota serbe e ndal Shqipërinë e Madhe”. Këto deklarata Vulin i bëri, pas takimit të Ramës me emigrantët në Greqi, duke kërkuar bashkëpunimin me palën greke.
Zëvendës ministrja e Jashtme, Artemis Malo deklaroi në një intervistë për “Special Report” se kanë kërkuar nga Serbia reflektim dhe mos përsëritje të deklaratave të tilla.
“Është thirrur ambasadori në ministri për të kërkuar një sqarim për këtë deklaratë provokuese. Jemi duke pritur një reflektim dhe mos përsëritje të deklaratave të tilla, të cilat nuk i mëshojnë aspak rolit që Shqipëria ka dhe synimeve që kemi për paqen dhe stabilitetin rajonal, që përfshihet dhe Serbia. Për sa kohë është një deklaratë e një zyrtari të lartë, zëvendës kryeministër, është një deklaratë e cila ka peshën dhe efektin e vet dhe për këtë arsye janë kërkuar sqarime dhe reflektim urgjent për të mos u përsëritur sërish. Jo nuk ka pasur, është kërkuar që të reflektohet. Ambasadori do ta përcjellë në qeverinë serbe kështu që do të presim reflektim.”, tha ajo. /abcnews.al