Fasonët drejt ciklit të mbyllur? Zekja: Rruga e vetme për të përballur krizat, synojmë të zgjerojmë tregjet për eksportet

schedule14:26 - 8 Maj, 2024

schedule 14:26 - 8 Maj, 2024

Florian Zekja, përfaqësues i Pro Eksport Albania tha se biznesi fason ndodhet në një situatë kaotike. Në një intervistë për “Money Report” me Genta Dobrën, ai u shpreh se sektori ka pësuar rënie për shkak të nënvlerësimit të euros, ndikimit të konflikteve në botë por dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Duke u ndalur tek garancia sovrane, ai tha se do të shihet se cilët biznese do të kenë nevojë për këtë mekanizëm. I pyetur nëse industria fason është gati për të shkuar drejt një cikli të mbyllur prodhimi, ai tha se duhet të shkojë drejt këtij transformimi për shkak se është e vështirë përballimi i krizave.

“Është një rrugë e vetme dhe me një sens sepse duke pasur parasysh atë që kemi hapur kohët e fundit si me pandeminë apo euron, e vetmja rrugë është transformimi dhe mbyllja e ciklit për t’i mbijetuar këtyre problematikave sepse vetëm me një tip prodhimi, material porositës, është shumë e vështirë t’i mbijetojmë krizave dhe të vazhdojmë në të ardhmen. Dashje pa dashje, bizneset janë të detyruar ta shohin të arsyeshme dhe të fillojnë këtë transformim. Ka edhe mekanizma të tjerë që janë grantet nga agjencia që për pak kohë do të jenë të aplikueshme për të gjithë bizneset dhe do të jenë edhe amortizimi nga 20 për qind deri në 40 për qind për teknologjinë A4. Janë një sërë masash që po iu vëmë në dispozicion bizneseve që të bëjnë këtë transformim që është i rëndësishëm për bizneset tona.“, u shpreh ai.

Më tej, ai shtoi se po zgjerojnë hartën e vendeve të eksportit.

Situata është kaotike dhe po  mundohemi të gjejmë mënyrat e mundshme për të diversifikuar këtë dhe për të parë jo vetëm tregun italian, ku 70 për qind e bizneseve tona kanë kontrata. Si pasojë, po shohim tregun spanjoll, ku në shtator bizneset tona do të përfaqësohen në një panaire të modës dhe tekstilit, ku do të paraqiten me koleksionet e tyre dhe shpresojmë që të hyjmë në këtë treg, ku përveç tregut evropian, ka dhe biznese britanike, të Afrikës dhe më gjerë. Po mundohemi që gjejmë alternativa që t’i orientojmë bizneset tona që të mos mbyllemi vetëm te tregu italian por të shohim edhe të tjerët”, u shpreh Zekja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!