Çfarë synon vizita e Presidentit kinez në Serbi?

schedule17:35 - 6 Maj, 2024

schedule 17:35 - 6 Maj, 2024

Presidenti i Kinës Xi Jiping do të vizitojë këtë javë Serbinë, në kuadër të udhëtimit të tij të parë në Evropë prej 5 vitesh. Beogradi është një prej përfituesve të mëdhenj të investimeve kineze, përfshirë marrjen e ndihmës financiare për një linjë hekurudhore, që e lidh me Budapestin. Megjithatë, eksperti ekonomik Mijat Lakiçeviç, thotë se nga kjo vizitë nuk pret marrëveshje të rëndësishme ekonomike. Sipas tij me këtë lëvizje, Pekini synon t’i japë një sinjal Perëndimit se ka një partner të qëndrueshëm në Evropë.

Në rrugë e ndërtesa të Beogradit, janë vendosur flamujt e Kinës dhe të Serbisë disa ditë përpara vizitës së Presidentit Xi Jinping.
Presidenti Alexander Vuçiç është shprehur se ndihet i nderuar nga vizita e udhëheqësit kinez.

Gjatë viteve të fundit, në Serbi kanë vërshuar investimet kineze në vlerë prej miliarda dollarësh. Kina ka blerë miniera dhe fabrika në të gjithë Serbinë.
Përmes kredive prej miliarda dollarësh për infrastrukturën janë financuar akse rrugore, ura dhe objekte të reja.

Këtë muaj, përfunduan punimet me vlerë prej 1.16 miliardë dollarësh për një gjatësi prej 108 kilometrash të hekurudhës që lidh Serbinë me Hungarinë.

Analisti ekonomik nga revista “Novi” Mijat Lakiçeviç thotë se nuk pret marrëveshje për investime të mëdha gjatë vizitës së udhëheqësit kinez.“Nuk pres projekte të mëdha. Mua më duket se kjo vizitë do të ketë më tepër rëndësi politike. Synon t’i tregojë Evropës dhe më gjerë se Kina ka një partner të besueshëm në Evrope. Për Kinën, kjo ka rëndësi, edhe pse Serbia është një vend i vogël, sepse ne për Kinën paraqesim si të thuash një lloj perspektive, për ndikimin e saj në Evropë, për çka Kina shqetësohet më së tepërmi. Serbia, ndryshe nga vendet e tjera evropiane, nuk ka rezerva. Eshtë e thjeshtë, mund të arrish marrëveshje për gjithçka këtu”, shprehet analisti ekonomik nga revista “Novi”, Mijat Lakiçeviç.

Kina ka blerë uzinën kryesore të përpunimit të çelikut në Serbi, e cila gjendet në qytetin Smederevo dhe atë të bakrit në Bor, si dhe po ndërton një sërë aksesh rrugore në gjithë Serbinë.
Pekini është përballur me kritika në Serbi lidhur me njoftimet për rritjen e nivelit të ndotjes në zonat ku gjenden fabrikat dhe uzinat nën administrimin e saj. “Përsa i përket uzinës së çelikut të Smederovos besoj se ishte një lëvizje e mirë sepse pothuajse po shkatërrohej, për të nuk kishte interes dhe kinezët u dukën si shpëtimtarë. Gjendja shihet ndryshe përsa i takon mjedisit, por në vende si Serbia, në një farë mënyre e para vjen ekonomia dhe pastaj çështjet mjedisore”, shprehet zoti Lakiçeviç

Një fabrikë gome kineze në qytetin verior Zrenjanin u vu nën kritika të ashpra se punëtorët e ardhur nga Vietnami përballen me kushte të vështira pune, si në skllavëri. “Problemi i shtetit serb është se nuk mban një qëndrim të vendosur ndaj Kinës kur është fjala për të mbrojtur interesat e komunitet lokal apo për të treguar kujdes ndaj mjedisit”, thekson zoti Lakiçeviç.

Sipas ekspertit Lakiçeviç duke ofruar investime pa kushte dhe duke bërë marrëveshje të drejtpërdrejta, Kina ndihmon autokratët si zoti Vuçiç që të stabilizojnë ekonominë dhe në këtë mënyrë të ruajnë pushtetin. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!