Ndryshimet në Kodin Penal/ Manja: Reflektojnë 61 direktiva të BE

schedule10:38 - 3 Maj, 2024

schedule 10:38 - 3 Maj, 2024

TIRANË- Propozimet për ndryshimin e kodit penal pritet ti nënshtrohen një diskutimi të gjerë publik. Sipas ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në institucionin që ai drejton është dorëzuar një draft për Kodin e ri Penal që reflekton edhe 61 direktiva të Bashkimit Europian.

“Ka një draft që është dorëzuar në ministri, por që do duhet t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik. Do jetë një kod penal që do i rezistojë kohës për 20-30 vitet në vijim. Reflektohen në atë draft 61 direktiva të BE”, tha Manja.

Manja tregoi mbështetje edhe për prokurorët e posaçëm që nëpërmjet drejtuesit të SPAK, Altin Dumani i kërkuan KLP të rikandidojnë për një mandat tjetër 9-vjeçar, ndryshe nga sa e parashikon Kushtetuta.

“Sot Kushtetuta ka këtë parashikim, por prisni janë në vitin e pestë në momentin që do të shtrohet kërkesa e tyre të jeni të bindur si ministër pa diskutim jam në krahun e tyre. Kur të shtrohet ky diskutim do te kemi një qëndrim. Kushtetuta kërkon një vullnet më të gjerë se mazhoranca”, shtoi ministri i Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka prezantuar rekomandimet e Këshillit të Ministrave për Prokurorinë e Përgjithshme në luftën kundër kriminalitetit përgjatë vitit 2024. Ai kërkoi rritje të pavarësisë së prokurorit gjatë ushtrimit të ndjekjes penale, si dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!