SHBA: Rusia ka përdorur “agjentë kimikë” kundër trupave ukrainase

schedule11:52 - 2 Maj, 2024

schedule 11:52 - 2 Maj, 2024

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Rusinë për përdorim të armëve kimike “si një metodë të luftës” kundër Ukrainës, dhe kanë vendosur sanksione të reja gjithpërfshirëse ndaj kompanive ruse dhe trupave qeveritare.

Në një deklaratë të mërkurën, Departamenti amerikan ka thënë se “ka bërë një përcaktim… se Rusia ka përdorur armën kimike kloropicrinë kundër forcave ukrainase, në kundërshtim me Konventën e Armëve Kimike (CWC), raporton CNN.

Sipas SHBA-së, Rusia po ashtu ka përdorur “agjentët e kontrollit të trazirave” dhe gazin lotsjellës gjatë luftës, po ashtu në kundërshtim me CWC-në.

“Përdorimi i kimikateve të tilla nuk është një incident i izoluar, dhe me gjasë është i udhëhequr nga dëshira e forcave ruse për të dislokuar forcat ukrainase nga pozitat e fortifikuara dhe për të arritur përparime taktike në fushën e betejës”, sipas SHBA-së.

Përfundimi i SHBA-së përputhet me dëshminë e trupave ukrainase, të cilët thonë se janë përballur me takime të shtuara me gaz dhe kimikate të tjera irrituese në pjesë të vijës së tyre të frontit me forcat ruse në muajt e fundit.

Në një deklaratë të postuar në mediat sociale në mars, forcat e armatosura të Ukrainës thanë se kishin regjistruar më shumë se një mijë incidente ku Rusia kishte përdorur “municione gaz lotsjellës të pajisur me kimikate toksike që janë të ndaluara për luftë”, me 250 raste vetëm në shkurt. Mirëpo Rusia e ka mohuar të ketë përdorur armë kimike në luftimet e saj në Ukrainë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!