Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviç, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet. Siç paralajmëroi, qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.
Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023, mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, analisti Melazim Koci ka thënë se një lëvizje e tillë nuk është befasi, por është një sinjal i Beogradit për Perëndimin.
“Në bindjen time zgjedhja e Vulin nuk është befasi, është sinjal që udhëheqja ka marrë rrugën drejt Rusisë. Ata këtë rrugë kanë marrë, por nuk kanë dashur ta besojnë. Është dhe një sinjal tjetër i Vuçeviçit që ka zgjedhur Moskën. Është një sfidë dhe një provokim i vetë perëndimit. Ka fituar rryma pro ruse në Beograd dhe këtë e dinë të gjithë. Është një lloj sfide dhe një lloj mesazhe, që ne do të shkaktojmë dhe konflikte”, tha Koçi./abcnews.al