Autoritetet ruse kanë deklaruar të martën se sistemet e saj të mbrojtjes kanë rrëzuar gjashtë raketa “ATACMS” të prodhuara nga SHBA-ja, të lëshuara nga Ukraina në 24 orët e fundit.
Uashingtoni i ka dërguar raketat në mënyrë të fshehtë në Ukrainë, si pjesë të paketës së ndihmës në vlerë prej 300 milionë dollarësh për Ukrainën, që presidenti Biden e kishte aprovuar më 12 mars, ka thënë javën e kaluar një zyrtar amerikan, raporton Reuters.
Dërgimi ose jo i raketave me rreze të gjatë deri në 300 km në Ukrainë, ka qenë subjekt i debatit brenda administratës së Bideni për muaj të tërë. Ndërkohë, raketat me rreze të mesme ATACMS janë dërguar në shtatorin e vitit të kaluar.
Ministria ruse e Mbrojtjes, nuk ka bërë të ditur se ku janë rrëzuar raketat.
“Dhjetë mjete ajrore pa pilot ukrainas, gjashtë raketa taktike ATACMS të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara dhe dy bomba ‘Hammer’ të prodhuara nga Franca u rrëzuan nga mbrojtja ajrore,” ka deklaruar ministria.
Sergei Aksyonov, kreu i Krimesë i mbështetur nga Rusia, ka thënë se raketat ATACMS janë rrëzuar mbi gadishullin, i cili ishte aneksuar nga Rusia në vitin 2014.