Presidenti francez Emmanuel Macron tha Europa nuk është më prioritet i SHBA-së dhe se duhet të ndërtojë strategjinë e saj të besueshme të mbrojtjes nëse dëshiron të mbijetojë.
Në një fjalim që parashtronte vizionin e tij për rajonin gjashtë javë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian, Macron tha se kontinentit mund t’i duhet të prodhojë mburojën e tij kundër raketave, raketat me rreze të gjatë veprimi dhe pajisje të tjera për të qenë në gjendje të mbrohet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tani vetëm dy përparësi. Që janë vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo është më se normale, dhe pastaj vjen për ta dosja e Kinës.
Çështjet europiane nuk janë më një përparësi gjeopolitike për SHBA-të për vitet dhe dekadat e ardhshme, pavarësisht se sa e fortë është aleanca jonë me ta dhe paçka sa me fat jemi këto kohë me një administratë amerikane që është shumë e angazhuar për të ndihmuar në konfliktin ukrainas”, tha ai.
Në këtë pikë Macron propozon disa iniciativa: “Prodhim europian armatimesh që Europa të mos varet më nga SHBA-të”. Sipas Macron, “nuk mund të ketë mbrojtje pa një industri të mbrojtjes”.
Në ndihmën ushtarake që BE-ja i jep Ukrainës, tre të katërtat e fondeve europiane jane përdorur për të blerë armatime jo-europiane nga SHBA-të, biles dhe nga Koreja e Jugut”.
“Por nëse prodhojmë në Europë, duhet një standardizim“, nënvizon Macron.
Macron propozon po ashtu, duke mbështetur një propozim gjerman, që të krijohet një mburojë anti-raketore europiane, pra që të përfshijë gjithë territorin e BE-së. Ai propozon krijimin e një akademie ushtarake të përbashkët europiane si dhe krijimin e një force ushtarake europiane të ndërhyrjes së shpejtë.
Ne duhet të vazhdojmë të kemi partneritete me vendet e treta, pra për të ndërtuar një Europë të aftë për të treguar se nuk është kurrë një vasal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se di gjithashtu të flasë me të gjitha rajonet e botës, me vendet në zhvillim, me Afrikën dhe me Amerikën Latine”, përfundoi ai.
/abcnews.al