Nga Mero Baze
Dy kandidatët shqiptarë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut morën afërsisht 23 për qind të votave, nga 19 për qind që mori kandidati maqedonas që kaloi në balotazh. Rezultati tregon potencialin e madh politik që kanë shqiptarët nga një anë dhe defaktorizmin e tyre nga përçarja që u bëri Albin Kurti nga ana tjetër.
Nëse Albin Kurti nuk do të ishte angazhuar personalisht në betejën kundër Ali Ahmetit dhe të nxirrte kandidat një “disident” të tij, sot kandidati shqiptar do të ishte në balotazh për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, duke shënuar një stad të ri të faktorizimit të tyre në shtetin fqinj.
Albin Kurit ishte i vetëdijshëm për këtë, kur ndërhyri. Objektivat e tij janë shumë të qarta.
Së pari, ai kërkon të defaktorizojë Ali Ahmetin, politikanin veteran, i cili do të merrte meritat historike nëse do ta mbante të bashkuar faktorin shqiptar në këtë betejë. Fiksimi i tij për të nxjerrë nga politika ish- udhëheqësit e UÇK buron nga një anë nga inferioriteti që ai ka për vendin e tyre në histori, dhe nga ana tjetër nga deliri që ka për t’u bërë një udhëheqës i botës shqiptare në ish- Jugosllavi, pas dështimit të turpshëm në Shqipëri.
Së dyti, Albin Kurti tinëzisht po investohet që në Maqedonin e Veriut të fitojë bindshëm krahu nacionalist anti-perëndimor i VMRO DPMNE, pasi kështu nuk duket më si dele e zezë në Ballkan. Duke llogaritur Vuçiqin në Beograd, ndryshimet pro ruse në Mal të Zi dhe fitoren gati të sigurtë të nacionalistëve maqedonas, Albin Kurti nuk është më dele e zezë anti-perëndimore në Ballkan, por plotëson puzzle-n e fundit në hapësirën e ish- Jugosllavisë nën ndikimin e Serbisë si anti-perëndimor.
Duke qenë i vetëm ishte problem, duke qenë bashkë me anti-perëndimorët e tjerë, nuk bie shumë në sy, përveçse tek shqiptaret që i kanë sytë nga SHBA. Të njëjtën gjë si Kurti e aspirojnë dhe në Shqipëri, Meta e Berisha. Madje ata e shprehin hapur.
Së fundmi, Albin Kurti e shikon ndërhyrjen në Maqedoninë e Veriut dhe si një mundësi për t’iu imponuar faktorit perëndimor me rolin e tij tek shqiptarët aty.
Edhe pse është mundur nga Ali Ahmeti, ai prapë mendon se fraksioni i tij ka shanse të hyjë në qeveri pas dy javësh me nacionalistët maqedonas dhe të fuqizohet rrugës, duke shpresuar kështu se do t’i bjerë ndonjëherë telefoni dhe për Maqedoninë e Veriut, jo vetëm për Zajdencinën në Veri të Kosovës.
Të gjitha këto janë arsyet që e kanë shtyrë drejt projektit të tij se si mund të bëhet i rëndësishëm, duke i bërë të parëndësishëm shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.