Ukraina sulmon zona të kontrolluara nga Rusia me raketa me rreze të gjatë veprimi, të dërguara fshehtas nga SHBA

schedule21:11 - 24 Prill, 2024

schedule 21:11 - 24 Prill, 2024

Për herë të parë Ukraina përdori raketa me rreze të gjatë veprimi të dërguara në mënyrë sekrete nga Shtetet e Bashkuara, duke sulmuar javën e kaluar një bazë ajrore ushtarake ruse në Krime si dhe forca të tjera ruse në zona të tjera të pushtuara gjatë mbrëmjes së djeshme, thanë zyrtarë amerikanë të mërkurën.

Të kërkuara prej kohësh nga udhëheqësit ukrainas, raketat e reja i japin mundësi Kievit që pothuajse të dyfishojë distancën goditëse deri në 300 kilometra, nga 160 kilometra që ishte distanca maksimale e raketave me rreze të mesme veprimi, që mori nga Uashingtoni tetorin e kaluar.

Një nga zyrtarët tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë më shumë raketa me rreze të gjatë veprimi në kuadër të paketës së re të ndihmës ushtarake që firmosi të mërkurën Presidenti Joe Biden.

Dy zyrtarë të Shteteve të Bashkuara që nuk pranuan të identifikoheshin pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin përpara se lajmi për dërgimin e raketave të bëhej publik, nuk dhanë një shifër të saktë për numrin e raketave që u dërguan muajin e kaluar apo në paketën e fundit të ndihmës.

Ukraina ka qenë e detyruar të përdorte në mënyrë të kufizuar armët e saj dhe po përballet me sulme në rritje nga ana e Rusisë. Ukraina kishte kërkuar me këmbëngulje raketat me rreze të gjatë veprimi, sepse i ofrojnë një aftësi kritike për të goditur objektivat ruse që janë më larg, duke lejuar forcat ukrainase të qëndrojnë të sigurta jashtë rrezes së veprimit të kundërshtarit.

Informacioni për dërgimin e raketave u mbajt aq i fshehtë sa ligjvënësi dhe të tjerë, gjatë ditëve të fundit, bënë vazhdimisht thirrje që Shtetet e Bashkuara të dërgonin armatime, pa e ditur se ato tashmë ishin dërguar.

Për muaj me radhë, Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të dërgonin në Ukrainë raketa me rreze të gjatë veprimi mes shqetësimeve se Kievi mund t’i përdorte ato për të goditur në thellësi të territorit rus, çka mund të nxiste zemërimin e Moskës dhe të çonte një një përshkallëzim të konfliktit.

Kjo ishte një nga arsyet kryesore se përse administrata amerikane në tetor dërgoi raketa me rreze të mesme veprimi prej 160 kilometrash.

Një zyrtar i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara tha të mërkurën se Shtëpia e Bardhë dhe drejtuesit ushtarakë kishin shqyrtuar me kujdes rreziqet e furnizimit me këto lloje raketash për Ukrainën dhe kishin arritur në përfundimin se ky ishte momenti i duhur për dërgimin e tyre.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë pranuar publikisht se kanë marrë apo kanë përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Por duke falenderuar Kongresin për miratimin e paketës së ndihmës të martën, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vuri në dukje se “pajisjet ushtarake ukrainase me rreze të gjatë, artileria dhe mbrojtja ajrore janë mjete jashtëzakonisht të rëndësishme për rivendosjen e paqes”.

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara tha se administrata e Presidentit Biden e kishte paralajmëruar Rusinë se nëse Moska blinte ose përdorte raketa balistike me rreze të gjatë, Uashingtoni do ta furnizonte Kievin me raketa të të njëjtit lloj.

Rusia mori raketa të tilla nga Koreja e Jugut dhe i ka përdorur ato në fushën e betejës në Ukrainë, tha zyrtari, duke e nxitur administratën e Presidentit Biden që të jepte dritën jeshile për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!