“Amnistia, një lajm pozitiv”, avokati: Numri i të paraburgosurve është më i madh se ai i të dënuarve

schedule13:23 - 24 Prill, 2024

schedule 13:23 - 24 Prill, 2024

Avokati, Arbër Hoxha e ka konsideruar amnistinë penale, një akt human. Në një lidhje me Skype për “Tirana Live”, ai ka thënë se rreth 730 të dënuar përfitojnë dhe dalin menjëherë nga burgu, dhe gjithashtu janë bërë mbi 1 mijë ulje dënimi.

“Aministia është një lajm pozitiv pasi nuk ka pasur që nga viti 2019. Projektligji për amnistinë ka pësuar një ndryshim pozitiv, pasi janë marrë parasysh parimet e humanitetit. Qëllimi kryesor është që këta persona të kuptojnë krimin që kanë bërë. Në këto kushte pritet që të dalin rreth 730 persona të dënuar që përfitojnë lirimin menjëherë nga burgu, ndërsa janë bërë mbi 1 mijë ulje dënimi”.

Më tej, avokati ka theksuar se mbipopullimi në burgje është kthyer tashmë në shqetësim, pasi numri i të paraburgosurve është më i madh se ai i të dënuarve.

Sipas Hoxhës, duhet që gjatë kohës që të dënuarit vuajnë dënimin të bëjnë punë të ndryshme që ta kenë më të thjeshtë përshtatjen në shoqëri.

“Patjetër që burgu i Ferit, Shkodrës dhe Drenovës kanë një cilësi të standartit të lartë, përfshirë këtu dhe burgun e Peqinit që është i sigurisë së lartë.

Ajo që është akoma më alarmante dhe që nuk mund të zgjidhet me amnisti është nr i lartë i të paraburgosurve që është më i lartë se i të burgosurve.

Kemi disa ndryshime ligjore për trajtimin e të dënuarve. Të burgosurit kanë të drejtën që të punojnë dhe të sjellin të ardhurat në punët e tyre. Por kjo nuk ekziston, të dënuarit mund të punojnë vetëm në kuzhinën e burgut. Kjo nuk aplikohet. Një person i dënuar me burgim ‘i ngel ora’ në momentin që përballet me shoqërinë, prandaj duhet bërë dhe një punë me psikolog dhe psikiatër”./abcnews.al