Policia spanjolle ka shkatëruar një bandë të trafikut të drogës ndërsa ka vënë në pranga pesë persona, mes të cilëve edhe shqiptarë. Siç raportojnë mediat vendase, operacioni i koduar “Servana” filloi në nëntor të vitit të kaluar pas provave se ky grup kriminal vepronte në pjesë të ndryshme të Valencias.
Hetuesit zbuluan se ishte një organizatë shqiptare, e strukturuar në mënyrë perfekte dhe me metodologji kriminale të mirëpërcaktuar. Organizata ishte përgjegjëse për prodhimin dhe kultivimin e kanabisit. Disa nga njerëzit jetonin dhe kalonin natën në magazinat industriale ku kishin plantacionet.
Për të përshpejtuar rritjen e bimëve të kanabisit, ata përdornin materialin ndriçues të gjeneratës së fundit dhe kishin kondicionerë të mëdhenj për të shpërndarë aromën. Këtë e arrinin falë një truku në rrjetin elektrik, duke gjeneruar humbje energjie prej më shumë se 900 amper.
Garda Civile kreu disa kontrolle të ndryshme. Në fazën e parë, më 28 shkurt , u krye një kontroll në një magazinë industriale në Xeresa dhe një tjetër në një apartament në plazh në Gandía. Në fazën e dytë, më 25 mars, u krye një kontroll tjetër në një magazinë industriale në qytetin e Rótova.
Në total është sekuestruar rreth një ton kanabis sativa, duke evidentuar 308 kilogramë syth në procesin e tharjes. Të arrestuarit akuzohen për 2 krime kundër shëndetit publik, 2 për mashtrim me energjinë elektrike, 1 për falsifikim dokumentesh dhe një tjetër për anëtarësim në organizatë kriminale./abcnews.al