Senati amerikan pritet ta hedhë në votim të martën paketën e vonuar me ndihmë ushtarake për Ukrainën, e cila kap vlerën e rreth 60 miliardë dollarëve, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë tre ditë më parë pas shumë zvarritjeve.
Paketa, e cila përmban ndihmë tejet të nevojshme për ushtrinë e Ukrainës, pritet të kalojë në Senat gjatë ditës së sotme dhe t’i dërgohet presidentit amerikan, Joe Biden, deri kah fundi i javës për t’u nënshkruar.
Biden i tha dje gjatë një bisede telefonike presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Shtetet e Bashkuara “shumë shpejt do të ofrojnë paketa të reja dhe të rëndësishme të ndihmës për t’i plotësuar nevojat urgjente të Ukrainës për t’u mbrojtur”, tha Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.