Referendumi në veri të Kosovës/ Shpallen rezultatet zyrtare: 18 serbë votuan pro shkarkimit të kryetarëve

schedule20:59 - 22 Prill, 2024

schedule 20:59 - 22 Prill, 2024

KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar rezultatet përfundimtare të votimit për referendumin në Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Sipas të dhënave, nga 253 persona që hodhën votën, vetëm 18 ishin pro shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, kryetarët shqiptarë erdhën në krye të komunave në maj të vitit të kaluar, për shkak se serbët, edhe atëherë, i bojkotuan zgjedhjet me ftesë të Listës Serbe – partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Kriza disamujore e krijuar asokohe ishte arsyeja përse bashkësia ndërkombëtare ushtroi presion mbi Kosovën për të filluar me organizimin e zgjedhjeve të reja, si dhe ndaj përfaqësuesve politikë të serbëve që të merrnin pjesë në një proces të tillë.

Tani duket se gjithçka është kthyer në pikën e fillimit – kryetarët shqiptarë, të cilët nuk pranohen nga popullata shumicë serbe në veri të Kosovës, mbeten në pushtet.