“Ndaj Barça-s luajmë me më të mirët e mundshëm”, Ancelotti: “El Clasico” mundësi e mirë për fitimin e titullit

schedule16:36 - 20 Prill, 2024

schedule 16:36 - 20 Prill, 2024

Pas triumfit të madh, në çerekfinalet e UEFA Champions League, ndaj “Qytetarëve”, të Manchester City, tashmë “Galaktikët” e Real Madrid kanë shansin e duhur, për të mbyllur hesapet e titullit kampion, të La Liga, teksa mbrëmjen e së dielës do të përballen, me “Katalanasit” e Barcelona, në “El Clasico”-n e famshme, që pritet të dhurojë vetëm spektakël.

Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp, në prag të kësaj sfide spektakolare, nga ku tekniku, Carlo Ancelotti theksoi se nuk i interesojnë kritikat për mënyrën se si u kualifikua skuadra e tij ndaj Manchester City, e ndër të tjera, shtoi se Valverde është i pazëvendësueshëm.

“Skuadra është mirë dhe është e rikuperuar, sigurisht ka disa futbollistë që nuk janë në kulmin e energjive. Por, në fushë ndaj Barcelona do të zbresë ekipi më i mirë i mundshëm. Militao mund të luajë si titullar, është gati edhe pse i mungojnë minutat në këmbë.

Valverde? E vështirë të thuash se çfarë mund të përmirësojë ai, është lojtar për ekipin dhe është vendimtar. Është gati të luajë në çdo pozicion dhe për këtë skuadër është i pazëvendësueshëm.

Kritikat për kualifikimin në Champions? Nuk më surprizojnë, secili është i lirë të mendojë se çfarë të dojë. Duhet të dish të menaxhosh topin kur e ke në zotërim dhe kur nuk e ke atë. Ne e bëmë shumë mirë lojën tonë dhe unë nuk kam parë asnjë madrilen të mërzitur për kualifikimin tonë.

Pesë në mbrojtje? Është një sistem që mund ta përdor në çdo moment kur mungojnë pesë apo gjashtë minuta nga fundi i ndeshjes. Mbase mund të luaj edhe me gjashtë apo shtatë mbrojtës dhe dy portierë, por nuk vendos dot një autobus.

LaLiga? Jemi shumë afër titullit, “El Clasico” është një mundësi më shumë për ta fituar kampionatin”,- u shpreh tekniku, Carlo Ancelotti vetëm një ditë para përballjes, së madhe, me “Katalanasit” e Barcelona, në “mitikun” e tyre, “Santiago Bernabeu”. /i.m /abcnews.al