Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Vendimin e ka njoftuar përmes rrjeteve sociale.
Kjo dorëheqje vjen vetëm një ditë pasi kreu i partisë Ilir Meta në një deklaratë publike për mediat foli për luftë ndaj nepotizmit dhe largim të gjithë njerëzve të besuar të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, ish kryetare e partisë, kur ai ishte në presidencë.
Në mesazhin e tij, Braimllari thotë se në shumë raste ka qenë ekuilibrues i problemeve të brendshme, me bindjen maksimale që në parti duhen të gjithë dhe partia është e të gjithëve.
Ai falenderon Ilir Metën për mundësinë që i dha duke e angazhuar në LSI 19 vite më parë, por dhe Monika Kryemadhin për mundësitë që ë dha gjatë kohës që ajo drejtoi këtë forcë politike.
Braimllari lë të kuptohet se për shkak të faktorëve të brendshëm ka vendosur të jap dorëheqjen nga ky funksion.
”Po bëj unë i pari disa hapa pas për të treguar që për mua e rëndësishme është uniteti me njëri tjetrin”, shkruan Braimllari, duke lënë të kuptohen problemet e evidentuara nga Meta brenda drejtuesve të Partisë së Lirisë.
/abcnews.al