Mot i kthjellët dhe temperatura të larta, vranësira në zonat malore

schedule07:11 - 11 Prill, 2024

schedule 07:11 - 11 Prill, 2024

Vendi ynë do të jetë nën mbizotërimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta në bregdet dhe zonat e ulëta ndërsa me kthjellime dhe vranësira të shpeshta do të paraqiten zonat malore përgjatë shtrirjes lindore. Pjesa e dytë të ditës do të vijojë me të njëjtat kushte të qëndrueshme meteorologjike, ku moti i kthjellët dhe i ngrohtë do të jetë dominant në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në vlerat minimale por do të rriten edhe maksimumet duke u luhatur nga 7°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 30°C vlera më e lartë përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë mesatare dhe herë pas herë e fortë me shpejtësinë mbi 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Orët e para të mëngjesit në Kosovë parashikohet të jenë nën dominimin e kthjellimeve dhe kalimeve të pakta të vranësirave, por gjatë mesditës dhe në vijim pritet që gradualisht vranësirat të bëhen edhe më të dukshme, ku më të theksuara do të jenë në zonat Veriore dhe Veriperëndimore të vendit. Megjithatë mundësia për reshje është thuajse zero. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë në të gjithë territorin e Kosovës edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 6°C vlera më e ulët dhe maksimumet do të ngjiten deri në 26°C. Era do të fryjë e lehtë por herë pas here mesatare me shpejtësi maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi permanent verior.

Maqedonia e Veriut

Republika e MV në pjesën e parë të ditës paraqitet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, duke bërë që i gjithë vendi të jetë me intervale të gjata kthjellimesh por pas mesditës dhe kryesisht pasditja do të shtojnë dukshëm vranësirat në të gjithë territorin e MV, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat perëndimore dhe jugperëndimore të MV. Parashikohet që të njëjta kushte atmosferike të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturave të ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë gjatë orëve të mëngjesit por mesdita do të sjellë rritje të ndjeshme të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 5°C vlera minimale deri në 28°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites POR deri mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi Veriperëndimor.

Europa

Do të vijojnë shirat me intensitet të lartë si edhe mini stuhi ere në ishujt britanikë dhe Europën qendrore; si pasojë e zhvillimit të një qendre të fuqishme ciklonare prej disa ditësh në Perëndim të kontinentit. Po ashtu moti i paqëndrueshëm do të mbetet dominant në Europën Veriore duke sjellë reshje të dendura shiu ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit europian do të paraqitet nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të ngrohtë, ku temperatura të larta do të regjistrohen në gadishullin e Ballkanit./abcnews.al