Ndërhyri në të dhënat e TIMS/ Prokuroria e Tiranës kërkon arrest në shtëpi për Ervin Muçën

schedule19:10 - 9 Prill, 2024

schedule 19:10 - 9 Prill, 2024

Agjencia e Mbikëqyrjes policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Tiranës për masën e “arrestit në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra të Drejtorit të Departamentit dhe teknologjisë se informacionit  në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.

Sipas hetimeve, rezultoi se drejtori i IT-së ka hyrë në bazën e të dhënave  të policisë së Shtetit që  ndodhet në  drejtorinë  e teknologjisë  dhe Informacionit që  gjendet në një godinë në rrugën  ‘Mine Peza’ në kryeqytet.

Sipas prokurorisë të gjitha veprimet janë  kryer në orët e vona të natës në gusht të vitit të kaluar, ku persona të  paautorizuar kane hyrë në godinë  duke përdorur bexhin e një  punonjësi  tjetër që në atë periudhe ishte me leje vjetore.

Për këtë prokuroria ka ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në  pyetjen e tërë personazheve të përfshir  në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe ne  kryerjen e ekspertimeve përkatëse.

Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se Muça, punon si  këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për Policinë e Shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies.

/abcnews.al/