Të gjithë ata që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, qoftë familjarë, biznese apo institucione do të kenë në dispozicion skema të reja lehtësuese për të paguar. Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, në një intervistë për emisionin “Sheshi i dollarit” dha më shumë detaje mbi këtë vendim.
“Kemi publikuar një skemë të re për debitorët e energjisë dhe për aktmarrëveshjet për pagesat me këste. Kjo vjen për t’u dhënë ndihme atyre debitorëve, që për arsye të ndryshme kanë ngelur debitor ndaj shoqërisë tonë. Në mënyrë që të mos t’u pengohet aktiviteti normal dhe të mos u ndërpresim energjinë kemi krijuar këtë skemë. Përfshin disa elemente. Së pari abonentët familjarë. I ndajmë në familjarë në kategorinë në nevojë dhe që kanë një vlerë kësti 1200 lekë të reja. Ndërsa të tjerët, që nuk janë kategori në nevojë, kanë këstin 2800 lekë. Nuk ka rëndësi sesa këste dalin por e rëndësishme që vlera është 2800 lekë apo 1200 lekë. Pse është gjetur kjo vlerë? Është aplikuar ndër vite sepse qëllimi është që ne të fusim në ciklin e abonentëve të rregullt abonentët debitorë por pa krijuar rëndesa në pagesat e energjisë elektrike. Është bërë një përllogaritje që të mos e rëndojë në portofolin familjar.
Për klientët privat, buxhetor dhe jo buxhetor i ndajmë me këste sipas vlerë së debisë, i ndajnë këstet nga 2 deri në 10 vite. Nëse debia është e vogël, ofrojmë 2 vjeçare, nëse debia është më e madhe ofrojmë këste më të mëdha që debitorin të mos e bëjmë të pamundur për të paguar. Ka edhe një risi tjetër. Nëse një abonent, klient, qoftë familjar, biznes privat apo institucion shtetëror, nëse do ta paguajë energjinë me një këst, nëse është abonent familjar i falim 70 për qind të kamatës, nëse është biznes i vogël i falim 100 për qind dhe nëse është biznes i madh i falim 50 për qind. Janë disa skema lehtësuese që përpiqemi t’u ofrojmë që të futen në ciklin e e rregullt të pagesave.”, u shpreh Karakaçi.
Sa i përket periudhës së detyrimeve, ai tha:
“Kjo skemë përmban detyrimet e prapambetura deri në 31 dhjetor 2022 por ka hapësira që përfshinë edhe debinë e vitit 2023. Jam i kënaqur që qytetarët dhe bizneset na kanë dëgjuar. Në vetëm 3-4 ditët e para kemi mbi 200 aktmarrëveshje të nënshkruara.“/abcnews.al