Kina mbështet planin për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza

schedule10:42 - 25 Mars, 2024

schedule 10:42 - 25 Mars, 2024

Kina njoftoi sot se mbështet një projekt-rezolutë të re që do të hidhet në votim në Këshillin e Sigurimit gjatë ditës së sotme, e cila kërkon një armëpushim “të menjëhershëm” në Gaza.

“Kina mbështet rezolutën dhe përgëzon Algjerinë dhe vendet e tjera arabe për punën e tyre të palodhur”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian. “Ne shpresojmë që Këshilli i Sigurimit ta miratojë atë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të dërgojë një mesazh të fortë për të ndaluar armiqësitë,” shtoi ai.

Fillimisht votimi i këtij plani do të bëhej të shtunën, por ai u shty për sot për të shmangur një tjetër dështim.

Të premten, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një projekt-rezolute të propozuar nga SHBA, e cila do të kishte nënvizuar “nevojën” për një “armëpushim të menjëhershëm” në Gaza.

Por projekt-rezoluta e SHBA-së nuk bëri thirrje qartë për një armëpushim të menjëhershëm, duke përdorur gjuhë që vendet arabe, Kina dhe Rusia e konsideruan të paqartë.

Rezoluta që pritet të votohet sot u hartua nga tetë nga dhjetë anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit (Algjeria, Malta, Mozambiku, Guajana, Sllovenia, Sierra Leone, Zvicra, Ekuador), të cilët negociuan gjatë gjithë fundjavës me SHBA-në, në përpjekje për të mos dështuar edhe kjo përpjekje, sipas burimeve diplomatike, të cilat u shprehën me optimizëm për rezultatin e votimit të sotëm.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!