Presidenti Bajram Begaj ka falënderuar këtë të diel NATO dhe SHBA, në këtë ditë që shënon 25 vjetorin e ndërhyrjes së aleancës për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.
“Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët. Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi. Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin”.
Begaj nënvizon se NATO vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë nëpërmjet trupave të KFOR-it në Kosovë, dhe nuk harron të nderojë edhe luftëtarët e lirisë.
“Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!”
Falë ndërhyrjes së NATO-s në 24 mars 1999, i dha fund luftës dhe i hapi rrugë pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës.