Shuhet mjeshtri i madh, Jorgo Papingji/ Poeti dhe autori i njohur ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare

schedule19:03 - 21 Mars, 2024

schedule 19:03 - 21 Mars, 2024

Ka ndërruar jetë në moshën 81 vjeçare poeti shqiptar Jorgo Papingji. Ai ka ndërruar jetë në spitalin e Sanatariumit, ku ndodhej i shtruar prej disa ditësh. Jorgo Papingji ishte një ndër emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, ku me anë të teksteve të shumta, arriti të krijojë një profil të veçantë poetik e artistik.

Papingji ishte dekoruar me titullin “Mjeshtri i Madh” nga presidenti. Në karrierën e tij të gjatë si tekstshkrues, numëron mbi 4000 poezi të mirëfillta, përkthyer në melodinë e tingujve muzikorë. Tekstet e tij, të kompozuara nga kompozitorë të shquar dhe kënduara nga këngëtarë të shumtë janë bërë hite.

Ai ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivalin e Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2014.

Kush ishte Jorgo Papingji?

Fillimet në botën e artit dhe muzikës i datojnë që në moshë të vogël, teksa që në fillore nisi të merrej me krijimin e poezive dhe shkrimeve të ndyshime duke kontribuar dhe në dy gazetat e shkollës. Për herë të parë botoi në gazetën “Zëri i rinisë”, një cikël me poezi dhe prej asaj kohë nuk pati më ndarje me poezinë.

Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshij apo ta gris”. Ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike. Mbi 4 mijë tekste këngësh kanë qarkulluar që atëherë e deri tani me autor Jorgo Papingjin, duke bërë që emri i tij të jetë një emër i dashur për njerëzit.

Në debutimin e tij në Festivalet e Këngës për Fëmijë Papingji mori pjesë me 512 tekste dhe është vlerësuar nga juritë artistike të kohës me njëzet e gjashtë çmime. Kontributi i Papingjit është po kaq i madh me debutimin poetik me tekste të këngës popullore, kryesisht të Shqipërisë së mesme.

Jorgo Papingji ka mbaruar studimet e larta për shkenca ekzakte (matematikë-fizikë) dhe ka qenë një mësues i pasionuar dhe drejtor në disa shkolla në Tiranë e gjetkë. Por ritmet e muzikës e morën me vete, duke bërë që ajo që ai e konsideronte si “punë të dytë”, marrja me tekste këngësh, të bëhej e para dhe të përcaktonte vetë individualitetin e tij si njeri, si poet dhe si artist./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!