Dy shqiptarë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur në një aksident rrugor në Itali. Si pasojë e shpejtësisë së lartë makina me të cilën udhëtonin është rrokullisur disa herë dhe më pas ka marrë flakë. Shoferi dhe njëri pasagjer janë djegur brenda mjetit, ndërsa tjetri shpëtoi duke dalë nga dritarja. Sipas mediave italiane makina me të cilën udhëtonin tre shqiptarët ishte raportuar e vjedhur.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Itali, ku si pasojë e një aksidentit rrugor kanë humbur jetën 2 shqiptarë dhe është plagosur rëndë 1 tjetër.
Referuar mediave vendase, pak pas orës 22.00, tre shqiptarët po udhëtonin me një BMË të zezë në drejtim të Colleferro, kur shoferi, si pasojë e shpejtësisë së lartë, humbi kontrollin e makinës. Mjeti raportohet se është përmbysur disa herë, duke nxjerrë njërin prej pasagjerëve nga dritarja.
Si pasojë e dëmeve, automjeti është përfshirë nga flakët, ku të dy shqiptarët që kishin mbetur brenda humbën jetën tragjikisht. I plagosuri është në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas informacioneve të policisë, mjeti raportohet të ketë qenë i vjedhur. Nga kontrollet përkatëse policia ka gjetur në bagazhin e makinës mjete për vjedhje.
Të tre të rinjtë rezultojnë si të dënuar më parë për krime pronësie.