Festimet e Ditës së Verës në Tiranë/ Veliaj për ABC News: Pas stuhisë del dielli, kemi pasur plot vizitorë të huaj

schedule13:38 - 14 Mars, 2024

schedule 13:38 - 14 Mars, 2024

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë disa detaje lidhur me festimet e Ditës së Verës në kryeqytet. Në një lidhje me ABC News, ai ka thënë se Tirana ka pasur një larmishmëri aktivitetesh që do të vazhdojnë.

Sakaq, Veliaj ka theksuar se këtë vit ndryshe nga vitet e tjera ka pasur plot vizitorë të huaj. Ndër të tjera, kryebashkiaku ka uruar që moti me diell të prodhojë sa më shumë ngrohtësi në zemrat e të gjithëve.

“Është një festë që bashkon njerëzit, Tiranë-Elbasan. Është një festë me shumë dashuri në shumë qytete.

Këtë vit kemi pasur më shumë stacione në të gjithë qytetin e kemi shpërndarë festën për të qenë një festë më demokratike. Ka filluar në Pazarin e Ri me Karnavalet, më pas i kemi dhënë mundësinë studentëve të arteve që të ekspozojnë punimet. Ata sollën një tank, ndryshe nga ai i luftës në Ukrainë, por ky është simbol i paqes. Pastaj kemi pasur ballokumet, një treg me produkte të Tiranës nga fermerët, të gjithë sportet e ndryshme nga futbolli te volejbolli, kemi pasur instrumentet muzikorë, pra një festë me piano dhe koncerte. Pastaj kemi vazhduar me kopshtin zoologjik dhe fëmijët.

Pas stuhisë del gjithmonë dielli, uroj që në këtë ditë ky diell të prodhojë sa më shumë ngrohtësi për zemrat tona. Për herë të parë në këto 9 vite kam parë më shumë të huaj se shqiptarë, jam shkëmbyer me shumë njerëz dhe kur më shikonin në rrugë dhe i uroja në shqip, ata habiteshin se nuk e dinin se kush isha dhe nuk dinin të flisnin shqip, më bëri të kuptojë që ky qytet është komplet tjetër, nga ai që gjetëm para ca vitesh”, tha Veliaj./abcnews.al