Një vuajtje e pafund. Nuk po ka fund “golgota” e skuadrës më të famshme të Italisë, dhe njërës prej më të shquarave të botës.
Ndoshta as tifozët më pesimistë nuk do të kishin menduar se Juventusi do të përjetonte një krizë të tillë dhe për një kohë tepër të gjatë.
Humbja 3-0 brenda në Torino përballë Lacios ishte goditja më e fundit e një serie dështimesh që nisin që nga viti I kaluar të paktën.
Kryeqytetasit e merituan duke luajtur më mirë sesa rekordmenët e titujve e duke ia dalë me gola nga Provstgard në 37’, Isaksen në 67’ dhe Dele-Bashiru në 89’.
Disfata bëri që bardhezinjtë të zbrisnin në vendin e 8-të në renditjen e Serisë A, duke u shkëputur ndjeshëm nga Lacio e Interi që vazhdojnë kryesimin, por edhe nga Roma, e ndoshta edhe nga Milani.
Tifozët u tërbuan, vërshëllyen ashpër dhe trajneri Luçiano Spaleti rrezikon seriozisht stolin.
“Spaleti në rënie të lirë, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Vërshëllima të forta kundër Juves, 0-3! Lacio. Çfarë mentaliteti!
“Asfaltohet Juventusi, – shkruan “Il Korriere delo Sport”, – Lacio e para! Pas 9 vitesh bardhekaltërit pushtojnë Stadiumin! Zhduket Juve, 0-3 dhe vërshëllima! Gatuzo fut në telashe Luçon!”
Tepër e ashpër e përditshmja torineze, “Tutosport”: As zemër! As respekt! Juve-Lacio 0-3! Bardhezinjtë të turpëruar! Stadiumi I vërshëllen! Një vuajtje tepër e gjatë!
Juve ka vetëm 11 pikë në Serinë A, 8 më pak se Inter e Lacio.


