Putin ‘zbut’ retorikën: Rusia do punojë me cilindo president të zgjedhur të SHBA

schedule15:14 - 13 Mars, 2024

schedule 15:14 - 13 Mars, 2024

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se vendi i tij nuk ndërhyn në zgjedhje dhe se do të punojë me cilindo president të zgjedhur nga votuesit amerikanë.

“Ne nuk ndërhyjmë në asnjë lloj zgjedhje dhe siç e kam thënë shumë herë, ne do të punojmë me cilindo lider të besuar nga populli amerikan”, tha Putin gjatë një interviste për kanalin televiziv shtetëror “Rossiya-1”.

Putin tha se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e kritikoi atë gjatë vitit të fundit të mandatit të tij për “simpatizim” me presidentin aktual, Joe Biden.

“Më pyeti mua në një nga bisedat ‘A dëshiron që Joe i fjetur të fitojë?’. Dhe më pas, për habi, ata filluan ta persekutojnë atë (Trump-in), sepse supozohej se ne e mbështetëm atë si kandidat. Epo, është një lloj marrëzie e plotë”, tha Putin.

Ai theksoi se fushata zgjedhore në SHBA “po bëhet gjithnjë e më e pa civilizuar”, duke shtuar se është e qartë se “sistemi politik amerikan nuk mund të pretendojë se është demokratik në çdo kuptim të fjalës”.

Muajin e kaluar, Putin tha se si president të SHBA-së do të preferonte Biden-in ndaj Trump-it, duke e përshkruar atë si më me përvojë dhe të parashikueshëm.

Biden dhe paraardhësi Trump kanë kaluar të dy pragjet e delegatëve për të arritur nominimet e partive të tyre dhe për të shkuar sërish në një garë presidenciale të caktuar për në muajin nëntor.

– “Vijat e kuqe”

Duke folur për komentet nga vendet perëndimore se nuk kanë “vija të kuqe” në lidhje me Rusinë, Putin tha se ato duhet të kuptojnë se as Moska nuk do të ketë “vija të kuqe” ndaj tyre.

Putin foli gjithashtu për rrjedhjen e fundit të bisedave midis oficerëve të Forcave Ajrore të Gjermanisë për furnizimin me raketa Taurus në Ukrainë, duke theksuar se ata “po fantazojnë dhe inkurajojnë​​​​​​​ veten”.

“Ata po përpiqen të na frikësojnë. Sa i përket Republikës Federale të Gjermanisë, aty ka probleme kushtetuese. Ata në të drejtë thonë: nëse këta Taurus godasin atë pjesë të urës së Krimesë, që sigurisht edhe sipas koncepteve të tyre është territor rus, kjo është shkelje e kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Putin.

Ai argumentoi se Rusia po ndjek nga afër zhvillimet në këtë kuptim, duke treguar se përdorimi i raketave britanike dhe amerikane nga Ukraina “nuk e ndryshon situatën në fushën e betejës”.

“Po, ata na shkaktojnë dëm, natyrisht, kjo është e qartë. Por, në thelb, kjo nuk ndryshon rrjedhën e armiqësive dhe pasojat që pashmangshmërisht ndodhin për palën e kundër”, tha ai.

Më tej, presidenti rus tha se Finlanda dhe Suedia përfituan më shumë nga respektimi i neutralitetit dhe se pranimi i tyre së fundmi në NATO bazohet “thjesht në konsiderata politike”.

“Ndoshta ata donin shumë të ishin anëtarë të klubit perëndimor, nën një lloj ombrelle. Pse u duhet kjo, sinqerisht nuk e kuptoj. Ky është një hap absolutisht i pakuptimtë nga pikëpamja e sigurimit të interesave të tyre kombëtare”, tha Putin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!