Escobar viziton Kosovën këtë javë për të diskutuar për dialogun dhe dinarin

schedule08:58 - 11 Mars, 2024

schedule 08:58 - 11 Mars, 2024

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Prishtinën këtë javë për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të dielën.

Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024, sipas njoftimit, shkruan REL.

“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, tha Departamenti i Shtetit.

Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.

Muajin e kaluar, Escobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.

“Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, kishte thënë Escobar më 23 shkurt.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!