Përfaqësuesi rus në BE ftoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të anëtarësohen në Unionin Ekonomik Euro-Aziatik. Ftesa u bë pasi BE nuk arriti të merrte vendim unanim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me të dy vendet.
Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian Vladimir Chizhov, ftoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që t’i bashkohen Unionit Ekonomik Euro-Aziatik. Ftesa u bë gjatë forumit ekonomik euroaziatik të mbajtur në Verona të premten, raportoi BalkanEU.
Diplomati rus tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë mirëkuptimin më shpejt brenda Forumit ekonomik euroaziatik sesa në BE.
“Jam i sigurtë se vendet që janë kandidate për anëtarësi në BE dhe janë vënë së fundi në ngrirje nga Brukseli, mund të gjejnë më shumë mirëkuptim në Unionin ekonomik euroaziatik.”
Sipas agjencisë IBNA, ftesa e Rusisë për vendet e Ballkanit, për t’iu bashkangjitur unionit ekonomik euroaziatik, erdhi një javë pas vendimit kundër të presidentit francez Macron, i cili vuri veton për të mos dhënë një datë për fillimin e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në./ABC News Albania