Presidenti i PE-së, vizitë në Tiranë dhe Shkup

schedule13:57 - 30 Tetor, 2019

schedule 13:57 - 30 Tetor, 2019

Pas refuzimit të negociatave nga Këshilli Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli do të vizitojë Tiranën dhe Shkupin. Sasoli është shprehur se kjo vizitë ka rëndësi të madhe, dhe se do të ketë në thelb inkurajimin e këtyre 2 vendeve për vijimin e reformave.

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli do të vizitojë Shkupin dhe Tiranën, për të përçuar një mesazh inkurajimi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pas mungesës së vendimit të Këshilit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vendet.

“Vizita në Maqedoninë e Veriut, dhe shumë shpejt më pas edhe në Shqipëri, ka një rëndësi të lartë për mua personalisht në këtë moment. Ne e dimë që popullsia në të dy vendet është zhgënjyer shumë nga dështimi i Këshillit Europian për të rënë dakord për hapjen e negociatave për shkak të vetos së disa shteteve anëtare. Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme”, shprehet Sassoli në një komunikatë shtypi.

Presidenti Sassoli inkurajon qeverinë maqedonase dhe atë shqiptare për të vazhduar rrugët e tyre të reformave, pasi pavarësisht shtyrjes së vendimit, kjo kohë nuk do jetë kohë e harxhuar. Reformat e kryera në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE janë në interesin më të mirë të vendeve dhe qytetarëve të tyre, dhe nga to përfitojnë para së gjithash brezi i ri që meriton një të ardhme më të mirë .Ai i bën thirrje qytetarëve dhe veçanërisht brezit të ri të mos humbin shpresën dhe të qëndrojnë në rrugën evropiane,

Me një shumicë të madhe votash, Parlamenti Evropian ka ritheksuar mbështetjen e tij të plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë një javë më parë. “Ne nuk do të heshtim por do nxisim shtetet e BE të marrin një vendim unanim në favor të negociatave në takimin e ardhshëm” ka deklaruar ai.

Gjatë vizitës së tij në Shkup, presidenti David Sassoli do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, si dhe presidentin Stevo Pendarovski. Ai gjithashtu do të zhvillojë bisedime me drejtuesit e partive politike parlamentare, kryetarin e Asamblesë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do t’i drejtohet Parlamentit.  Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut  në 4 dhe 5 nëntor, ndërkohë që udhëtim në Shqipëri është planifikuar për 2 dhe 3 Dhjetor./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!