NBA/ Mbrëmje surprizash, Boston e Denver ndalin seritë pozitive

schedule12:16 - 6 Mars, 2024

schedule 12:16 - 6 Mars, 2024

NBA dhuroi një mbrëmje suprizash, duke nisur nga humbja e Boston Celtics, me kryesuesit e Konferencës së Lindjes, qw u “dorëzuan” në transfertën e Cleveland Cavaliers me vetëm një pikë diferencë, në rezultatin e përgjithshëm 105-104, pas një përmbysje të çmendur të vendasve.

Cavaliers e panë veten deri në një dizavantazh prej 22 pikësh, por kthyen sfidën në favorin e tyre falë një paraqitje të shkëlqyer të Dean Wade, i cili e nisi ndeshjen nga stoli, por shënoi 23 pikë për të bërë të mundur përmbysjen e madhe, duke i shkaktuar Boston Celtics humbjen e parë pas 10 fitoreve radhazi, duke i dhënë fund ecurisë rekord, por gjithsesi, pa mundur t’i heqin kryesimin në Lindje.

Në mbrëmjen e fundit të basketbollit amerikan është ndërprerë edhe seria e Denver Nuggets. Kampionët në fuqi të NBA u mundën në shtëpinë e tyre nga Phoenix Suns me rezultatin 107-117, me Kevin Durant, që iu kthye kohëve të arta, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer me 35 pikë në triumfin e Suns.

Nga ana tjetër, dy shifrat dopjo të Nikola Jokic me 25 pikë dhe 16 topa në tabelë nuk evituan humbjen e Denver, që shpërdoron një mundësi të të mirë për të marrë kreun në renditjen e Konferencës së Perëndimit.

I njëjti diskutim edhe për “yllin” tjetër të basketbollit ballkanas, Luka Doncic, me sllovenin dhe skuadrën e tij, Dallas Mavericks, që dhuruan një tjetër surprizë duke u mundur në shtëpi nga Indiana Pacers me rezultatin 120-137, teksa tre shifrat dopjo Doncic, 39 pikë, 10 topa në tabelë dhe 11 asist në sezonin e tij spektakolar, sërish nuk mjaftuan për të marrë fitoren. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!