Padyshim është sulmuesi shqiptar më në formë. Rey Manaj po tregon më në fund aftësitë e tij, me “bomberin” lushnjar, i cili ka “ringjallur” karrierën, me kalimin e tij, te Sivasspor, teksa në 27 përballjet e zhvilluara këtë sezon, mes kampionatit turk të futbollit dhe Kupës së Turqisë ka arritur të shënojë plot 18 gola.
Falë performancës së treguar, lushnjari pritet që të jetë pjesë e listës së teknikut, Sylvinho, për ndeshjet miqësore me Kilin dhe Suedinë, të cilat do të zhvillohen më 22 e 25 mars. Paraqitjet e Manajt nuk mund të kalonin jashtë vëmendjes së brazilianit, i cili ka punuar në të shkuarën me Manajn në kohën kur sulmuesi ishte pjesë e “Zikaltërve” të Inter.
Ndërkaq, kujtojmë se për herë të fundit Manaj është grumbulluar në mars të vitit 2022 dhe në “bomberi” 27-vjeçar numëron 30 ndeshje dhe 6 gola me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, ndërkohë që kjo do të jetë hera e parë që ai vihet nën urdhrat e trajnerit Sylvinho, gjithmonë nëse grumbullohet nga ky i fundit.
Megjithatë, nëse vijon me këtë ritëm, sulmuesi lushnjar mund të jetë kandidat për t’u bashkuar skuadrës në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024 që do të luhet në verën e këtij viti, në Gjermani, me “Kuqezinjtë”, që janë shortuar të grupin B, aty ku do të ndeshen me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën në datat 15, 19 dhe 24 qershor. /i.m /abcnews.al