Arbër Hoxha hero në Kroaci, sulmuesi shqiptar merr më në fund vlerësimin e duhur

schedule16:56 - 24 Shkurt, 2024

schedule 16:56 - 24 Shkurt, 2024

Nuk pati një fillim të lumtur. Arbër Hoxha, ndryshe nga patrioti i tij nga Maqedonia, Arijan Ademi, nuk hyri dot në zemrën e tifozëve të Dinamo Zagreb, ndërsa në janar bëri kalimin te Slaven Belupo. Gjithsesi, diçka ka ndryshuar pas ndeshjes së Conference League, ku kroatët arritën një kualifikim të shënuar ndaj spanjollëve, të Real Betis.

Sulmuesi shqiptar, që pritet të jetë pjesë e “kuqezinjve”, ishte një nga më të mirët në fushë. E përditshmja më e njohur e Zagrebit, “Jutarnji List”, e veçoi ndër futbollistët e “Të Kaltërve”, ndonëse si Lojtarin e Ndeshjes zgjodhi sulmuesi Bruno Petkovic.

“Respekte Hoxhës, – titullon Gazeta kroate, – por, lojtari më i mirë i Dinamo i solli vërdallë spanjollët si fëmijë kopshti”. Më tej, “Jutarnji” thekson: Sërish është “Biri i Erës! Shikoni mjeshtërinë e Hoxhës dhe lëvizjen e Kaneko për t’i dhënë fund “agjërimit” të gjatë!”

Sulmuesi japonez, Takuro Kaneko, ishte autor i golit të barazimit në pjesën e dytë dhe është kthyer në të adhuruarin e publikut në “Stadion Maksimir”. E vërteta është që lojtari i krahut, për kartonin e të cilit u paguan 1 milionë euro, ishte kritikuar që kur u bashku me Dinamo Zagreb.

E përditshmja tjetër zagrebase, “Vecernji List” e ka si hero të shkrimit të saj me titull: Njëri nga lojtarët e Dinamo tregoi se përse u mor! E kritikuam, por trajnerin Jakirovic tani duhet ta falenderojmë!”

Kampionia e Kroacisë ka fituar deri tani 7.4 milionë euro, dhe nëse kalon në çerekfinale, do të arkëtojë edhe 1 milionë euro të tjera. Natyrisht, kjo është pak në krahasim me 26.4 milionë euro që Dinamo fitoi nga UEFA sezonin e kaluar për shkak të pjesëmarrjes në Champions.

Kualifikimi për në të tetat në Conference League nuk është një rekord, por gjithsesi është një rezultat shumë i mirë për një klub që nuk i afrohet fuqisë financiare të spanjollëve, italianëve, gjermanëve apo anglezëve. Kjo, edhe pse Dinamo shpenzon rreth 25 milionë euro në sezon për rroga të lojtarëve.

Në 2021, kampionia kroate arriti çerekfinalet e Europa League, suksesi më i madh i dekadave të fundit, që u ndal nga Villarreal me dy humbje minimale.

Natyrisht, Dinamo e ka të vështirë të arrijë kulmet e viteve ‘60-të, kur arriti finalen e Kupës së Panaireve në 1963 dhe e fitoi këtë Kupë në 1967 pas dy finaleve ndaj skuadrës së shquar angleze, Leeds United. /i.m /abcnews.al