Një ngjarje e rëndë është zbardhur në Durrës, ku një 50-vjeçar u gjet i varrosur në banesë. Fillimisht u raportua i zhdukur, por pas hetimeve dyshohet se është vrarë nga vajza e tij 19-vjeçarja Hygerta Meta pasi sipas saj babai donte ta fejonte pa dëshirë.
Në dëshminë e dhënë në polici ajo ka thënë se e ka kryer krimin e vetme dhe se e ka vrarë me armë zjarri dhe më pas e ka varrosur.
Por hetimet vazhdojnë pasi autoritetet dyshojnë se vajza ka bashkëpunuar edhe me familjarë, pasi dyshohet se nuk mund ta ketë kryer krimin e vetme.
Gazetari Leonidha Musai tha për “ABC News”, se dyshimet e policisë janë se edhe familjarët mund të jenë të përfshirë pasi kanë gjetur makinën rreth 1 mijë metra larg banesës, dhe gjithashtu edhe pas këqyrjes së telefonave ka rezultuar se në dëshmitë e tyre familjarët, vëllezërit dhe nëna kanë qenë kontradiktor.
“Policia ka dyshime që vajza nuk e ka kryer e vetme vrasjen e babait të saj dhe as zhdukjen e trupit. Pasi ka dyshime që vëllezërit por edhe nëna të mund të jenë të përfshirë. Vrasjen nuk mund ta ketë kryer e vetme dhe as varrosjen . Por vajza këmbëngul që e ka kryer e vetme krimin, dhe më pas ka inskenuar zhdukjen e tij, si edhe ka larguar nga banesa makinën e babait. Pas denoncimit policia nisi hetimet dhe u fokusuan tek automjeti që u gjet rreth 1 mijë metra larg banesës. Aty kanë nisur dyshimet e para. Familjarët kanë qenë në kontradikta për mënyrën se si kanë rrëfyer ngjarjen. Duke nisur nga kontaktet dhe komunikimet. Janë këqyrur edhe telefonat dhe gjithashtu këtu kanë nisur dyshimet. Ndërsa janë pyetur edhe banorë që kanë thënë se për herë të fundit e kanë parë në shtëpi”, ka thënë për ABC News gazetari Leonidha Musai.
Gjithashtu në dëshminë e saj ajo ka treguar se e ka kryer me gjakftohtësi krimin, pas një urrejtje të mbledhur prej kohësh.
“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive. Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”, ka thënë ndër të tjera 19-vjeçarja.
/abcnews.al/