Këtë të mërkurë demokratët u ngritën të alarmuar për të hedhur tutje perden e mëkatit. Pasi Lulzim Basha deklaroi se do të bojkotojë seancën ku do të votohet amnistia penale, edhe deputeti i Rithemelimit, Bledion Nallbati, tentoi të lajë duart nga bashkëpunimi i tij me mazhorancën.
Ai tha se nuk kishte depozituar kurrë një amendament i cili falte funksionarët e korruptuar.
“Në projektligjin për Aministinë, ndryshe ngasa ka dezinformuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, nuk kam propozuar asnjë amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Amendamenti që kam dorëzuar synon në thelb garantimin e barazisë midis të dënuarve meshkuj dhe femra, apo kategorisë së veprave penale, duke rritur masën përfituese për të dënuarit meshkuj nga 3 vjet në 4 vjet”
Është e vërtetë që Nallbati ka propozuar këtë rritje të masës së përfitimit, por dokumenti ka edhe një propozim tjetër, që flet për nenin 245/1 të Kodit Penal, vepër e cila është kompetencë e SPAK, për shkak të përfshirjes së funksionarëve publikë.
“Në rastet e personave të dënuar, sipas nenit 245/1, paragrafi i dytë dhe i katërt, pavarësisht se dënohen në minimumin e përcaktuar, edhe pse ka një rrezikshmëri të ulët, përsëri është vendosur si kriter ndalues. Akoma më problematike është kjo cështje, po të kihet në konsideratë ushtrimi i ndjekjes penale, pavarësisht se paragrafi i parë dhe i tretë dënohen në maksimum me 1 dhe 1 vite, përsëri kjo vepër është vendosur si kriter ndalues. Duke pasur në konsideratë arsyetimin sa më sipër, propozohet që kjo cështje të ndryshohet sipas këtij amendamenti. Deputeti, Bledion Nallbati””
Por cfarë është neni 245/1 që deputeti i Rithemelimit, Bledion Nallbati propozon tu falet dënimi dhe tu pushohet gjykimi?
Ky nen ka të bëjë me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Pra, Nallbati ka kërkuar të amnistohen ata që ofrojnë apo kërkojnë para për të marrë një shërbim që nuk ju takon. Neni përfshin edhe ata që premtojnë apo japin para, por edhe ata që kërkojnë apo marrin të holla duke premtuar ndikim tek zyrtarët.
Për shkak të përfshirjes së zyrtarëve, kjo është një vepër që hetohet nga SPAK.
Pra, sipas Nallbatit duhet të falen edhe ata persona që dënohen nga Gjykata Speciale, që që sipas variantit fillestar të qeverisë, nuk përfitonin./abcnews.al