Ministri i Jashtëm palestinez: Izraeli po kryen gjenocid në Gaza

schedule12:55 - 19 Shkurt, 2024

schedule 12:55 - 19 Shkurt, 2024

Ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki sot, në hapjen e seancës dëgjimore për pushtimin izraelit të territoreve palestineze para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës.

“Të lejosh që kjo të vazhdojë është e papranueshme. Është një detyrim moral dhe ligjor për t’i dhënë fund sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Al Maliki.

Maliki gjithashtu pretendon se palestinezët në Bregun Perëndimor janë viktima të “kolonizimit dhe dhunës raciste”.

Ai tha se Kombet e Bashkuara përfshinin në Kartën e tyre të drejtën e të gjithë popujve për vetëvendosje dhe “premtoi të çlironte botën nga kolonializmi dhe aparteidi”, por që palestinezëve iu mohua kjo e drejtë për dekada.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hapi sot një seancë dëgjimore njëjavore mbi pasojat ligjore të pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli, gjatë së cilës gjyqtarët do t’u drejtohen përfaqësuesve të më shumë se 50 vendeve.

Ndër të tjera pritet të marrin fjalën përfaqësues të SHBA-së, Kinës, Rusisë, Afrikës së Jugut dhe Egjiptit, ndërsa Izraeli nuk do të marrë pjesë në seancë, ndonëse ka dërguar një deklaratë me shkrim në gjykatë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!