Thiago Motta është i lumtur që Bologna mundi Lazio, ndërsa nënvizoi se ylli i ekipit të tij, Joshua Zirkzee i kujton atij Ronaldinhon.
Zirkzee, kur rezultati ishte 1-1, shënoi golin e fitores, që i dha tri pikë Bolognas që po lufton për një vend në garat evropiane.
Ky ishte goli i tetë i Zirkzees në Serie A dhe është golashënuesi më i mirë i ekipit të tij, ndërsa trajneri Motta e krahasoi me Ronaldinhon.
“Ai tha se idhujt e tij janë Ibrahimovic dhe Batistuta, të cilët janë dy lojtarë të shkëlqyer. Duke e parë atë ditë për ditë, ai më kujton Ronaldinhon me të cilin kam luajtur në Barcelonë, por nuk mund ta krahasoj me askënd. Ai është Joshua, është i veçantë, i pëlqen futbolli dhe mbi të gjitha punon shumë në stërvitje.
Që nga dita e parë e para-sezonit, ai ka qenë gjithmonë i pari që ka mbërritur në kamp. Ai është bërë një lider dhe kjo është e gjitha për meritën e tij. Thjesht duhet të vazhdojmë ta shoqërojmë, sepse sigurisht që është në rrugën e duhur”, deklaroi Motta.
Bologna ka 45 pikë dhe mban vendin e pestë në renditje me pikë të barabarta me Atalantan që është e katërta./ h.ll/abcnews.al