NBA/ Boston nuk ka rivalë, Denver në krizë, Dallas vazhdon ngjitjen në Perëndim, ndalet Golden State

schedule17:56 - 15 Shkurt, 2024

schedule 17:56 - 15 Shkurt, 2024

Një mbrëmje e pasur me ndeshje dhe e mbushur me spektakël. NBA jep të tjera konfirmime përpara fundjavës së “All Star Game”. Mbi të gjitha për Boston, që tregon edhe një herë forcën në këtë sezon të basketbollit amerikan.

Celtics nuk ndalen dhe blindojnë vendin e parë në Konferencën e Lindjes me fitoren e thellë me 50 pikë diferencë ndaj Brooklyn. Rekordmenët e NBA imponuan shifrat 136-86, pavarësisht mungesave të rëndësishme të Jaylen Brown dhe Al Horford.

Në “TD Garden” diferencën e bëri loja e skuadrës, pasi të gjithë lojëtarët e pesëshes së parë e mbyllën ndeshjen me dy shifra në tabelën e pikëve. Me këtë fitore, Boston tregon se nuk ka rivalë në Lindje, ndërsa të gjithë favoritët e tjerë në garën për titullin kampion janë të paralajmëruar.

I ndryshëm është diskutimi për të mëdhatë e Konferencës së Perëndimit. Kampionët në fuqi të Denver jetuan humbjen e tretë radhazi, duke u dorëzuar në shtëpi përballë Sacramento me rezultatin 98-102. Domantas Sabonis mban lart mbiemrin dhe trashëgiminë e babait të tij në NBA, duke ndihmuar “Kings” me 20 pikë dhe 13 topa të kapur në tabelë. Në hije qëndroi Nikola Jokic, me “shtatlartin” serb, që realizoi vetëm 15 pikë.

Nw krahun tjetër, Golden State Warriors ndërpreu serinë pozitive me 5 fitore radhazi, duke u mundur në shtëpi 125-130 nga Los Angeles Clippers, me James Harden dhe Paul George, që kujtuan kohët e tyre të arta me 26 dhe 24 pikë për secilin. Nga ana tjetër për skuadrën nga San Francisco nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer me 41 pikë e “yllit” Stephen Curry.

Ndërkohë, një tjetër fitore të madhe siguroi Dallas, që bëri të tijin “derbin” e Teksas. Mavericks mundën 116-93 San Antonio, falë dyshes Irving dhe Doncic. I pari shënoi 34 pikë, ndërsa tjteri iu afrua tre shifrave dopjo me 27 pikë, 9 topa në tabelë dhe 8 asist. Kjo fitore, e shtata radhazi i lejon Dallas të ngjitet në vendin e gjashtë në Konferencën e Perëndimit. /i.m /abcnews.al