Gjithçka u zgjidh përpara sesa ai të aktivizohej. Armando Broja mori urdhërin e trajnerit Marco Silva për të hyrë në fushë, ndërsa Fulham po fitonte 3-1 ndaj Bournemouth dhe në stadium kishte nisur festa. Për fatin e keq të “yllit” të Kombëtares, dy nga golat ishin shënuar nga Rodrigo Muniz, që është edhe rivali i tij direkt për formacionin.
Ashtu si te Chelsea, jeta nuk është aspak “fushë me lule” për 22-vjeçarin, me konkurrencën në Premier League kudo tepër të fortë. Për më tepër, në momentin që Broja pati rast të luante, Fulhami ishte tërhequr në mbrojtje të rezultatit, ndërsa ishte minuta e 74’-t. Kjo bëri që sulmuesi shqiptar të dallohej më shumë në presion ndaj kundërshtarëve, dhe në goditjet nga këndi pranë portës së tij.
Natyrisht që ai pati disa mundësi për të dalë përpara dhe shokët e furnizuan me ndonjë pasim. Siç ndodh në fillim, shpesh fatin nuk e ke me vete, apo edhe nuk e ke harmoninë taktike siç duket me të tjerët, ndërsa trajneri Marco Silva pati këtë analizë.
“Është gjë e madhe për Rodrigon që ka shënuar 3 gola në dy ndeshje. Janë gola të rëndësishëm, ishte loja e tij më e mirë për Fulhamin. Ai është në formë. Kam folur me Brojën përpara ndeshjes. Ai e di se është në Premier Ligë dhe se ka konkurrencë. Ai ka ardhur vetëm para pak ditësh tek ne dhe duhet të përshtatet. Unë uroj që Rodrigo dhe Broja të jenë që të dy në formë. Kjo do të ishte më e mira”.
Kjo ishte ndeshja e dytë e Brojës tek Fulhami që pas huazimit nga Chelsea. Futbollisti shqiptar do të luajë në “Craven Cottage” deri në fund të sezonit, ndërsa në verë do të shikohet se çfarë do të bëhet me kartonin e tij. Objektivi i 22-vjeccarit padyshim është që të stabilizohet si lojtar standard i Premier League, siç ishte te Southampton dhe të jetë gati për finalet e Kampionatit Europian me Kombëtaren. /i.m /abcnews.al