Gjashtë të vdekur është bilanci i rrëzimit të helikopterit në Kaliforni të SHBA. Mes viktimave është Herbert Wigwe, CEO i Access Bank Group, grupi më i madh bankar në Nigeri.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së premtes kur një Eurocopter EC-130 me gjashtë persona në bord u rrëzua pranë Nipton, Kaliforni. Sipas publikimeve të shumta, pasagjerët po udhëtonin për në Las Vegas për të parë Super Bowl-in e këtij viti, finalen e Ligës Amerikane të Futbollit (NFL).
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Ngozi Okonjo Iweala, ka konfirmuar vdekjen e CEO të Access Bank, Herbert Wigwe dhe ish-kryetarit të Bursës Nigeriane, Abibola Ogunbanjo.
“Trishtim i madh për lajmin e humbjes tragjike të Herbert Wigwe, CEO i Grupit të Access Bank, gruas dhe djalit të tij, si dhe Bibo Ogunbanjo në një aksident me helikopter”, shkroi shefi i OBT-së në një postim në Platformën X (ish-Twitter)./abcnews.al