Zgjedhjet presidenciale/ Fati i Trump do të vendoset nga Gjykata e Lartë

schedule09:56 - 7 Shkurt, 2024

schedule 09:56 - 7 Shkurt, 2024

Deri në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara kanë mbetur vetëm nëntë muaj.

Përpjekja për grusht shteti, e cila dyshohet se është nisur nga Donald Trump së bashku me bashkëpunëtorët e tij, duke kulmuar me sulmin në Kapitol më 6 janar 2021, mbetet në axhendën parazgjedhore, ndërkohë që çështja ka marrë tashmë rrugën e Drejtësisë.

Gjykata e Lartë e SHBA-së pritet të luajë një rol qendror në zgjedhjet presidenciale, duke vendosur për një sërë çështjesh ligjore që përfshijnë Donald Trump, si kandidat primar republikan dhe si individ.

Nëntë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, e cila dominohet nga konservatorët me një raport gjashtë me tre, pritet të marrin vendime kritike.

Ndërkohë, ata kanë një ish-president që shpenzoi 50 milionë dollarë vetëm në vitin 2023 për tarifat ligjore, në atë që shumë thonë se është thjesht një prelud i asaj që do të vijë.

Trump akuzohet nga kundërshtarët e tij politikë se ka ndjekur një strategji klasike për të parandaluar çdo gjyq kundër tij përpara zgjedhjeve. Ai përballet me 91 akuza në katër raste të veçanta, por ai dhe votuesit e tij thonë se po përballen me një “bandë” që ka ngritur një komplot kundër tyre.

Drejtësia është e ngadaltë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një ish-president dhe votuesit amerikanë mund të shkojnë në votime në nëntor.

Nesër, më 8 shkurt pritet të nisë faza e parë e seancës së Gjykatës së Lartë, ku do të shqyrtohet “bllokada” e ish-presidentit në Kolorado dhe Maine.

Këto dy shtete vendosën që Trump nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake republikane për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit dhe sulmit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e tij.

Një vendim “jodemokratik”, sipas avokatëve të ish-presidentit, të cilët u bëjnë thirrje nëntë gjyqtarëve të “mbrojtin të drejtat e dhjetëra miliona amerikanëve që duan të votojnë për presidentin Trump”.

Kritikët e Trump argumentojnë se një fitore ndaj demokratit Joe Biden në nëntor do t’i jepte atij fuqi të mjaftueshme për të urdhëruar prokurorin e ri të përgjithshëm që të “ngrijë” çështjet kundër tij apo edhe ta falë vetë atë.

Kandidati presidencial republikan ka mohuar çdo keqbërje dhe i ka karakterizuar të gjitha rastet kundër tij si të motivuara politikisht.

Humbja në gjykatën federale

Megjithatë, një gjykatë federale dje hodhi poshtë pretendimin e ish-presidentit se ai ka imunitet në lidhje me akuzat e komplotit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës me të cilat po përballet.

Gjykata vendosi që Trump duhet të dalë në gjyq.

Vendimi i tre gjyqtarëve ka qenë unanim dhe është një disfatë e rëndësishme për ish-presidentin, ndonëse nuk ka gjasa të jetë fjala e tij e fundit në përpjekjen për të provuar se ai nuk duhet dënuar, pasi ishte ende president i SHBA-së, gjatë periudhës për të cilën akuzohet.

Sipas ligjit amerikan, presidenti aktual gëzon imunitet të plotë nga një sërë akuzash ligjore. Ai deklaron se do të procedojë me ankim përkatës në Gjykatën e Lartë.

Megjithëse vendimi ishte disi i pritshëm, vendimi prej 57 faqesh është një moment historik në historinë e drejtësisë amerikane, duke iu përgjigjur një pyetjeje që nuk është bërë kurrë më parë në vend: A mund të shmangë një ish-president ndëshkimin nga sistemi i drejtësisë për diçka që ka bërë gjatë mandatit të tij?

Ndërkohë, një tjetër çështje gjyqësore kundër Trump në Nju Jork , ku ish-presidenti përballet me akuzat për blerjen e heshtjes së një ylli porno në vitin 2016, pritet të nisë më 25 mars.

Ky rast, megjithatë, shihet si më pak i rrezikshmi ligjërisht nga katër në total me të cilin po përballet Trump.

Gjyqtarja e qarkut në Florida, Eileen Cannon caktoi 20 majin si datë gjyqi për një rast tjetër në të cilin ish-presidenti akuzohet për posedim të paligjshëm të dokumentve të klasifikuara që ai i fshehu në rezidencën e tij në Florida.

Ai akuzohet gjithashtu se ka penguar përpjekjet e FBI-së për ti marrë ato. Megjithatë, Canon nuk e ka përjashtuar mundësinë e rishqyrtimit të datës së gjykimit.

Në fund, asnjë datë gjyqi nuk është caktuar në kontenë Fulton, Xhorxhia, ku zyra e prokurorit të qarkut ka akuzuar Trump për përpjekje për të minuar zgjedhjet e shtetit të vitit 2020./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!