Në kohën kur mazhoranca dhe opozita janë duke punuar për hartimin e drafteve të tyre për reformën zgjedhore, gjithnjë e më shumë po kërkohet edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Aleatët e PD, Fatmir Mediu dhe Nard Ndoka flasin për mundësinë e implementimit të sistemit zgjedhor proporcional me lista të hapura. Këtë sistem e mbështet edhe ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili shpjegon edhe arsyet përse shumë prej funksionarëve i tremben implementimit të një sistemi të tillë.
Miratimi i Reformës Zgjedhore është kthyer në kryefjalë të debatit politik në Shqipëri, kjo edhe për shkak se Kodi i Ri zgjedhor është edhe një nga kushtet e kërkuara nga Bundestagu gjerman për çeljen e negociatave.
Por në kohën kur mazhoranca duket e vendosur për të miratuar brenda dhjetorit ndryshime të reformës zgjedhore të kërkuara edhe nga OSBE, aktorë të rëndësishëm politik po artikulojnë gjithnjë e më shumë kërkesën për ndryshimin e sistemit zgjedhor, madje duke kërkuar edhe sistemin me lista të hapura.
Por krahas aleatëve të PD, kërkesa për lista të hapura shihet si një zgjidhje edhe brenda vetë radhëve të demokratëve. Ervin Salianji flet për një rezistencë të fortë që po i bëhet ndryshimeve të sistemit zgjedhor dhe përse listat e hapura sjellin frikë tek ata që kanë humbur kontaktet me zgjedhësit.
Por a mund të zbatojë Shqipëria një sistem proporcional me lista të hapura? Ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume shpjegon edhe mënyrën e implementimit të një sistemi të tillë. Kume e sheh tërësisht të zbatueshëm një sistem proporcional me lista të hapura, duke kujtuar se përmes tij i kthehet vota sovranit.
Funksionarë të lartë të Partisë Socialiste kanë qenë gjithmonë të rezervuar për të folur për ndryshime të sistemit zgjedhor, pavarësisht se nuk e kanë përjashtuar mundësinë, ndërkohë që demokratët kanë filluar të reflektojnë gjithnjë e më shumë për ndryshimet kushtetuese të 2008 ku u hoq dorë nga sistemi mazhoritar./ABC News Albania