Partizani prej gati pesë vitesh ka nisur punimet për ndërtimin e kompleksit të ri. Presidenti Gaz Demi e ka pranuar vetë se gjërat nuk kanë shkuar sipas planeve, por tashmë duket se të kuqtë të paktën do të kenë shtëpinë e tyre ku do të luajnë.
Demi sot ka qenë ambientet e kompleksit dhe klubi i kuq njofton se në janar stadiumi do të jetë gati dhe Partizani kështu do të lërë stadiumin “Selman Stërmasi” dhe të luajë në shtëpinë e re. Në njoftimin e kryeqytetasve, thuhet:
“Presidenti Gazment Demi ndjek nga afër ecurinë e punimeve të stadiumit, në kompleksin e Klubit të Futbollit Partizani. Aktualisht po përfundojnë betonimet e tribunës ballore. Po vijon puna për instalimet dhe pajisjet e tribunës qendrore, si edhe konstruksionet dhe mbulesa e të dyja tribunave të stadiumit.
Punimet po vijojnë me intensitet të lartë dhe në fazën e tretë të kampionatit stadiumi do të jetë gati për të mirëpritur kampionët e vendit”. /abcnews.al