Çështja “Beleri”/ Avokati tregon detaje: Janë të përfshirë edhe zyrtarë grekë, po të hapeshin tabulatet do provohej se…

schedule23:48 - 30 Janar, 2024

schedule 23:48 - 30 Janar, 2024

GREQI- Apeli i GJKKO ka mohuar sërish kërkesën e Fredi Belerit për t’u liruar dhe betuar si kryebashkiak i zgjedhur në Bashkinë e Himarës. Kjo çështje nuk ka mbetur vetëm në trajtën ligjore, por është ngritur edhe në nivel politik nga Athina zyrtare, e cila ka shfaqur pakënaqësitë e saj për Shqipërinë.

Avokati i njohur Edmond Petraj, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, tha se Beleri po synon që mos ta bëjë veten pjesë të skenarit të krimit zgjedhor, duke e prezantuar rastin si sulm që kryhet për shkak të lidhje të tij me minoritetin grek.

Avokati tha se Belerit nuk i janë hapur tabulatet telefonike, ndërsa shtoi se në rast se do kryhej ky veprim, në biseda me të do dilnin edhe zyrtarë të qeverisë greke, që sipas tij janë të implikuar në krimin elektoral në Himarë.

“Unë ndoqa me vëmendje të gjithë retorikën që këta bëjnë. Problemi i zotit Beleri, është se ai nuk do ta quajë veten pjesë të një skenari të manipulimit të zgjedhjeve, por do ta quajë si një skenar politik dhe diskriminim me idenë që i përket minoritetit grek. Atij zotërisë nuk i janë hapur tabulatet telefonike se po t’i hapen tabulatet, do dilnin ata të Athinës zyrtare, të cilët janë të implikuar në krimin elektoral”, tha ai.

Ai shtoi se edhe 1000 kërkesa të bëjë Fredi Beleri për t’u liruar nga burgu, kjo nuk do të ndodhë. I pyetur se pse Greqia tenton të hyjë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, avokati u shpreh se:

“Ose e shikojnë Shqipërinë si një vend se mund të bëjmë çfarë të duan, por ka ikur koha e asaj kohe. Athina nuk është  më pjesë që mund të ndikojë në politikën shqiptare. Nëse hapen tabulatet, Greqia do të ulet në gjunjë në atë moment, sepse aty gjendet loja. Për mendimin tim, patjetër që duhet të ketë zyrtarë të lartë dhe ministra grekë të përfshirë në këtë lloj situate.  Nuk është e mundur që ky zotëria, që të takohej me qeveritarë grekë dhe të fliste me këtë gjuhë, që sot duket sikur ka marrë revansh. Ai po hetohet dhe gjykohet me një barazi ligjore. Ajo bandë hieneash u turr ne Himarë për të prishur këtë rregull loje. Beleri edhe po të bëjë edhe 100 kërkesa ai nuk lejohet dhe nuk e bën dot betimin”, tha ai.

Ai theksoi se niveli i demokracisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut është shumë më i mirë në Shqipëri se në shtetin grek. Sipas avokatit, “urrejtja” e grekëve ndaj shqiptarëve mësohet që në shkollë dhe librat e historisë atje janë të mbushura me përshkrime të papranueshme.

“Ne librat e historisë, që grekët mësojë, ata kultivojnë nacionalizëm të jashtëzakonshëm. Atyre iu është shkruaranë libra që Shqipëria dhe shqiptarët prodhojnë vetëm fatkeqësi, prodhojnë vetëm vrasës. Greqia që hiqet si vend demokratik, nuk ka demokracia në vend. Nuk njeh komunitetet etnike, ndërkohë Shqipëria është shumë larg.  I ka rregulluar rregullat e lojës me të gjitha komunitetet e bashkëjetesës. Greqia i quan të gjithë grekë nga fillimi deri në fund. Ai [Fredi Beleri] të përballet, të mbarojë procesi, të shikojë vendimin e gjykatës dhe mos të rrijë të bëjë retorikën boshe që po goditem etj. Procesi ndaj këtij zotërisë, e ndjen, se procesi ka mbaruar dhe ndihet fajtor për krimin elektoral. Ka shqiptarët që dënohen pa prova në Greqi, pa fakte, shkojnë në gjykatë pa përkthyes dhe vetëm kur i vjen dënimi për një vepër shumë dyshuese.”, tha ai./ n.m.abcnews.al