Vllaznia mori pikët e plota me Flamurtarin, por në Shkodër nuk ka kohë për festë. Kuqeblutë të dielën i pret një transfertë e vështirë me Laçin dhe trajneri Mirsad Jonuz ka zbritur në fushë së bashku me ekipin që ditën e sotme.
Para ndeshjes me kurbinasit ka një lojtar që shqetëson dhe ai është mesfushori brazilian Hygor, autor edhe i golit të fitores ndaj Laçit në sfidën hapëse të kampionatit. Lojtari në fjalë po vijon të kryejë fizioterapi, në mënyrë që të kalojë dëmtimin në pulpë.
Në kampin shkodran ka shumë optimizëm dhe synohet që të mos dilet pa pikë nga Laçi. Ecuria e Vllaznisë në fazën e parë ka qenë mjaft e mirë, teksa skuadra e Jonuz ka grumbullar 15 pikë dhe renditet në pozicionet e sipërme të tabelës. /abcnews.al